in

Vetëcertifikimet. Të dënuarit e radhëve: akoma shtyrje për imigrantët

Bankat e të dhënave të Administratës Publike akoma nuk janë të lidhura, kështu që të huajt duhet të bredhin akoma nga një zyrë në tjetrën për të kërkuar dokumente. Të paktën deri më 30 qershor 2015

Romë, 9 shtator 2014 – Edhe këtë radhë nuk bëhet gjë! Ndërsa italianët i shpëtojnë për shumë gjëra burokracisë falë normave mbi vetëcertifikimet, imigrantët duhet të vazhdojnë të vihen në radhë në këtë apo atë zyrë publike për të marrë copa letrash që ligji konsideron akoma të domosdoshme.

Kjo histori shkon kështu prej vitit 2012, kur një ligj vendosi që zyrat publike nuk mund të kërkojnë apo të lëshojnë certifikata që përmbajnë të dhëna që i kanë zyrat e tjera publike e që duhet të përdoren në marrëdhëniet e qytetarit me administratën publike. Me një përjashtim: rregulli nuk vlen për “dispozitat speciale që përmbajnë ligjet e rregulloret që kanë të bëjnë me imigracionin dhe të qenin i huaj”.

Do të thotë, për shembull, që një i huaj mund të vetëcertifikojë si të gjithë italianët rezidencën e tij, që nuk ka të bëjë me ligjin e imigracionit. Por kur kërkon ripërtëritjen e lejes së qëndrimit për studime duhet t’i japë kuesturës një certifikatë të universitetit që të dëshmojë provimet e dhëna. Po ashtu, një i papunë që kërkon lejeqëndrim për pritje punësimi duhet të pajiset me certifikatën e regjistrimit në Qendrën për Punën.

Ky përjashtim ishte i detyrueshëm nga fakti që, për të përdorur të njëjtët shembuj, nuk ekzistonte një lidhje telematike mes Kuesturave, Universiteteve, Qendrave të Punësimit që të ishte e mundur verifikimi i vetëcertifikimeve të paraqitura nga të huajt.

Kështu ishte deri në vitin 2012, por shpresohej që situata të përmirësohej, aq sa një ligj i ri, në pranverën e të njëjtit vit, hoqi klauzolën kundër imigrantëve. Praktikisht, duhet të ishte e mundur të përdoreshin vetëcertifikimet edhe për lejet e qëndrimit e të gjitha praktikat e tjera që kanë të bëjnë me imigracionin. Norma e re duhet të hynte në fuqi më 1 janar 2013, në mënyrë që Administratës Publike t’i jepej kohë për të vënë në rrjet bankat e ndryshme të të dhënave (për shembull ato të universiteteve apo të Qendrave për punësimet) me Kuesturat dhe Prefekturat.

Por ajo lidhje, me sa duket, paska qenë shumë më e vështirë nga ç’parashikohej. E nga një normë në tjetrën, ardhja në fuqi i këtij lehtësimi edhe për imigrantët u shty vazhdimisht: fillimisht më 30 qershor 2013, pastaj më 31 dhjetor 2013, e akoma më 30 qershor 2014. Tani – por asnjë nuk çuditet më – mbërriti edhe shtyrja e radhës, këtë herë për një vit të tërë (jo më gjashtë muaj). Dekretligji nr. 119 i 22 gushtit 2014 ka vendosur që, përsa u përket vetëcertifikimeve, italianë dhe imigrantë do të trajtohen njësoj duke filluar nga 30 qershori 2015.

Do të ndodhë vërtet? Duke pasur parasysh si kanë shkuar gjërat deri tani, vështirë të besohet se do të ndryshojë gjë.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Gianni De Biasi: “Shqipëria e mrekullueshme, shqiptarët njerëz punëtorë”

Paraqitet në burg Antonio Monella, i dënuar për vrasjen e 19-vjeçarit Hoxha