Analisti për Evropën Qendrore dhe Juglindore për Njësinë e Inteligjencës së ‘The Economist’, thotë se arrestimi i guvernatorit të bankës qendrore Ardian Fullani do të testojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri ndërsa operacioni i policisë ndaj Lazaratit është një shenjë se vendi po ecën në drejtimin e duhur.
Ja një intervistë e tij, e dhënë Besar Likmetës, Birn Albania
A është arrestimi një shenjë se gjërat po ndryshojnë në Shqipëri dhe autoritetet po e luftojnë korrupsionin dhe në nivelet më të larta të pushtetit?
Mendoj se është një shenjë se autoritetet po i marrin këto çështje më seriozisht. Por teksa themi këtë, veçanërisht në këtë fazë, veçanërisht për ata si z. Fullani, duhet të shtojmë se nuk po flasim për korrupsion, por për shpërdorim të mundshëm të detyrës, që është një shkelje shumë e ndryshme, e cila duhet të konfirmohet dhe provohet. Kjo është një shenjë që reflekton vendosmërinë për t’i trajtuar këto çështje më seriozisht.
A do të bëhet çështja ‘Fullani’ një test për sistemin e drejtësisë në Shqipëri? Sa e rëndësishme do të jetë ecuria e çështjes gjyqësore?
Mendoj se po e vendosni gishtin në plagë këtu… Kjo është një çështje problematike për shkak se drejtësia nuk është parë si mjaftueshmërisht e pavarur nga autoritetet politike. Ndoshta ironikisht, ka qenë vetë Banka e Shqipërisë e cila mund të konsiderohej si një nga institucionet e shtetit që pati vendosur një shkallë pavarësie nga organet politike. Ndoshta kjo pavarësi ka nënkuptuar mungesë mbikëqyrjeje të mjaftueshme dhe ky natyrisht është një problem i rëndë.Është e rëndësishme që drejtësia të vijojë me këtë çështje në një mënyrë të pavarur dhe që të mos ketë presion politik pro apo kundër dënimit; gjë që duhet të shihet gjatë procesit gjyqësor në muajt e ardhshëm.
A është kjo një shenjë e zgjerimit në rajon të procesit të Sanandertizimit, i cili merr emrin nga ish kryeministri i Kroacisë që u arrestua dhe u dënua në prag të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian?
Besoj se mund të jetë një shenjë e tillë. Natyrisht është tepër herët për ta përgjithësuar për shkak se Kroacia është në një fazë shumë të ndryshme në krahasim me Shqipërinë, është sakaq vend anëtar i BE-së dhe çështja kundër Sanader erdhi në një kohë kur Kroacia qe në prag të anëtarësimit. Shqipëria nuk ka të njëjtën shkallë presioni dhe të njëjtën ndjesi urgjence; gjithsesi, vetë fakti që i kanë dhënë statusin kandidat është një tregues shumë i rëndësishëm se gjërat po lëvizin përpara dhe se është një moment më pozitiv. Është tepër herët për të dalë në një konkluzion por kjo është shenjë se gjërat po ecin në drejtim pozitiv.
Në samitin e Berlinit fjalët kyçe nga kancelaria Angela Merkel qenë progresi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Cila është rëndësia e riangazhimit të Gjermanisë në rajon, në kuptimin e mbështetjes së kësaj lufte?
Mendoj se do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme. Tradicionalisht në shumë pjesë të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Shqipëri, vendet dominuese qenë fqinjët politikë, Italia dhe Greqia dhe natyrisht këto dy vende kanë kaluar trazira të stërmëdha ekonomike përgjatë viteve të fundit, veçanërisht Greqia. Kjo reflekton aftësinë e tyre për të patur një zë në politikën e jashtme dhe për të kontribuar në politikën e BE-së. Për shkak se këto vende janë dobësuar ekonomikisht dhe zëri i tyre në politikë është zvogëluar, mendoj se Gjermania, si vendi udhëheqës në BE dhe si fuqia ekonomike dominuese, do të marrë një rol shumë më të rëndësishëm dhe kjo do reflektohet në një fushatë anti-korrupsion nëpër të gjithë rajonin dhe në Shqipëri në veçanti.
Qeveria e qendrës së majtë e kryeministrit Edi Rama ka qenë në pushtet në Shqipëri tashmë prej një viti. A ka shenja ndryshimi në Shqipëri?
Mendoj se dallohet një ndryshim i qartë në drejtimin që ka marrë vendi dhe shembulli më i qartë qe sulmi i policisë mbi kryeqytetin e marijuanës në vend, Lazaratin. Ky qe një shembull shumë i qartë vendosmërie dhe një nga ato raste ku veprat flasin më qartë se sa fjalët. Mendoj se qe një shenjë e lëvizjes në drejtimin e duhur dhe që u shpërblye nga BE [me statusin kandidat]. Gjithashtu, një shembull tjetër ishte zgjidhja e problemit me CEZ, gjigantin cek të energjisë elektrike, një shenjë e një mënyre më pak konfrontuese dhe më miqësore në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me kompromis. Mendoj se këto janë shenja të rëndësishme në ndryshimin e drejtimit; gjithsesi, në këtë fazë, nuk do t’i kushtoj shumë rëndësi çështjes që lidhjet me bankën qendrore për shkak se është një çështje juridike në vazhdim për të cilën është tepër herët të thuhet se çfarë rëndësie do të ketë në terma afatgjatë. Gjithsesi, lëvizjet e tjera që unë përmenda janë shenja se gjërat kanë filluar të lëvizin dhe se ka një ndjenjë më pozitive në vend çka në terma afatgjatë ndihmon në integrimin e vendit në BE.
Shqipëria përballet ende me shumë skeptikë në Bruksel dhe në disa kryeqytete të BE-së gjatë rrugës drejt integrimit. Çfarë duhet të bëjë vendi për të bindur skeptikët se Shqipëria meriton të bëhet vend anëtar i BE-së?
Besoj se në thelb janë tre pika që duhet të përmenden. E para është që të kryhen reformat që janë parashtruar shumë qartë nga BE-ja, të cilat përfshijnë në mënyrë specifike luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në drejtësi dhe në administratë publike, si dhe rritjen e pavarësisë së këtyre institucioneve. Numri dy është natyrisht që të vazhdohet të ecet në drejtim pozitiv; nuk është e mjaftueshme të bësh deklarata por edhe të zbatosh reformat, ashtu siç ka bërë kjo qeveri e re. Numri tre, i cili është po aq i rëndësishëm sa dy të parët, është që të mundësohet që klima politike të bëhet më pak konfliktuale. Tashmë ka shumë më tepër dialog politik mes qeverisë dhe opozitës dhe natyrisht kjo kërkon partneritet nga të dyja palët, për shkak se, siç thuhet, kërkohen dy vetë për të kërcyer tango. Të dyja palët duhet të bëhen bashkë, pavarësisht ndasive të tyre politike, që të mundësojnë një dialog politik konstruktiv, i cili shumë shpesh ka munguar në politikën shqiptare.