Përurohet në Milano Përfaqësimi Konsullor i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës. Të pranishëm edhe ministrat e jashtëm të të dyja vendeve
Romë, 16 shtator 02014 – Shqipëria dhe Kosova, që nga dita e sotme kanë një konsullatë të përbashkët në Milano.
Në selinë e re të Konsullatës së përgjithshme të Shqipërisë në kryeqendrën e Lombardisë, në rrugën Pirelli 30, do t’u ofrohen shërbime konsullore qytetarëve shqiptarë e kosovarë.
Në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së re të Shqipërisë, brenda së cilës do të kryhet gjithashtu dhe përfaqësimi konsullor i Kosovës, morën pjesë dy ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, anëtarë të trupit diplomatik dhe autoritete vendase.
Në fjalën e tyre, Ministrat Bushati dhe Hoxhaj vlerësuan se “konsullata përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik që kemi mes dy vendeve dhe është një tregues i qartë i punës dhe vullnetit tonë për të qenë sa më pranë bashkëkombësve, duke iu ofruar atyre shërbime sa më cilësore dhe transparente”.
Ky përfaqësim – i paralajmëruar që në fund të janarit gjatë vizitës së kryeministrit Rama e ministrit Bushati në selinë e vjetër të konsullatës – bazohet në Marrëveshjen e lidhur në Prishtinë më 14 mars2014, mes dy qeverive për “përfaqësimin konsullor dhe Protokollin e Veprimit për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për përfaqësimin konsullor të Republikës së Kosovës pranë Konsullatës së Përgjithshme në Milano dhe përfaqësimin konsullor të Republikës së Shqipërisë pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanberra të Australisë në Prishtinë, më 14/3/2014”.
Që ditët e fundit të qershorit, kur trupi diplomatik shqiptar në Milano po përgatitej për ndërrimin e selisë, Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë, Luljeta Çobanaj, shprehej për Shqiptariiitalise.com se fluksi ditor prej 150 qytetarësh, pritej të shtohej ndjeshëm sepse “shumë shpejt, e njëjta seli do të përdoret edhe nga një staf konsullor i Republikës së Kosovës. Konsullata do të jetë vërtet e të gjithë shqiptarëve. Në hyrje të saj do të jenë tre flamuj, shqiptari, kosovari dhe italiani, dhe e shkruara “Eja të flasim shqip” me të cilën do t’u japim mirëseardhjen të gjithëve”.
Nga sot, Konsullata e Milanos në rrugën Giovanni Battista Pirelli, 30, pranë stacionit qendror të trenit (as 500 metra), është e të gjithë shqiptarëve. Të urojmë që të gjithë, kosovarë e shqiptarë, të gjejnë aty vërtet një shërbim sa më cilësor e të shpejtë.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)