Me rastin e vizitës së Papës në Shqipëri, Fatos Lubonja boton një editorial në formën e letrës drejtuar Kryeipeshkvit të Tiranës dhe Durrësit, Rrok Mirdita, me të cilën kërkon t’i shpjegohet Atit të Shenjtë se me tolerancën fetare të shqiptarëve po bëhet demagogji.
“Mënyra se si po pritet Papa, të bën të mendosh se kasta e demagogëve që kemi tash njëzet vjet në pushtet, duke na e shitur nacionalizmin dhe ateizmin e trashëguar nga regjimit komunist si “tolerancë fetare e kultivuar në shekuj”, po kërkon të përdorë edhe Papën për të na ushqyer me gënjeshtra e vetëmburrje nacionaliste, çka, sipas meje, më së shumti i shërben pushtetit të kësaj kaste, dhe jo shqiptarëve në përgjithësi dhe besimtarëve të vërtetë në veçanti” shkruan Lubonja në të përditshmen Panorama.
Përsa i përket tolerancës, “fakti është se raporti i më të fortëve me më të dobëtit në Shqipërinë tonë ka qenë dhe mbetet ndër më tragjikët, me përçarje dhe konflikte të thella që, edhe pse nuk janë fetare për momentin, përmbajnë premisat për këto në të ardhmen. – shpjegon idenë e tij Lubonja që shton – Dikush duhet t’i tregojë Papës se një nga problemet më të mëdha që ka ky vend sot është pikërisht konfliktualiteti dhe intoleranca politike ku sapo një maxhorancë vjen në pushtet e injoron krejtësisht opozitëndikush duhet t’i tregojë Papës se një nga problemet më të mëdha që ka ky vend sot është pikërisht konfliktualiteti dhe intoleranca politike ku sapo një maxhorancë vjen në pushtet e injoron krejtësisht opozitën. Ka një paradoks pra këtu midis “vuajtjeve të së kaluarës” dhe “harmonisë fetare”: si është e mundur që nga një popull që “ndër shekuj ka aplikuar bashkëjetesën dhe tolerancën fetare” paskan dalë këta shqiptarët kaq intolerantë?”.
Përsa i përket historisë, ai vë në dukje se “sikur shqiptarët të kishin qenë kaq bashkëjetues e tolerantë, Vaso Pasha nuk do të kishte shkruar, në kapërcyell të shekujve XIX-XX, vargjet e famshme përbashkuese, por sipas meje edhe me pasoja për fatin e feve: “Mos vështroni kisha e xhamia/feja e shqiptarit është shqyptaria”. Sikurse e kam shkruar edhe herë tjetër, duke cituar historianen Nathalie Clayer, kjo ishte një thirrje për të ndryshuar gjendjen në terren, sepse ndarjet fetare ekzistonin mes shqiptarëve osmanë me fe të krishterë dhe myslimane dhe, në atë kohë të shpërbërjes së Perandorisë dhe lindjes së nacionalizmave, mund të ktheheshin në konflikte”.
“E vërteta historike është se ishin dy ideologji pushteti të shekujve XIX-XX: nacionalizmi që u ndërtua duke vënë shqiptarinë mbi besimet fetare e Zotin dhe komunizmi i Enver Hoxhës, që këtij nacionalizmi i shtoi edhe ateizmin, – këmbëngul Lubonja – ato që kanë sjellë “harmoninë” fetare duke i bërë shqiptarët indiferentë ndaj feve, por jo për këtë edhe tolerantë ndaj njëri-tjetrit e të tjerëve”.
E vërteta është se ne vazhdojmë të mbetemi tejet intolerantë dhe jobashkëjetues dhe se kampionët e kësaj intelorance e përçarjeje gjenden në radhët e kësaj kaste në pushtet që vetëm me vlerat e vërteta fetare nuk ka lidhje. … E vërteta është se, për klerikët e pushkatuar, fotot e të cilëve Papa do t’i shohë të varur në bulevard, kjo kastë gjatë këtyre njëzet vjetëve s’ka bërë as sforcon më të vogël për t’iu gjetur eshtrat se ku ua ka kallur diktatura. Papa nuk do të pritet në sheshin “Nënë Tereza” siç ndodh në shumë vende të botës nga besimtarë të devotshëm të krishterë e simpatizantë të tjerë, por, më së shumti, me vetëmburrje nacionaliste njerëzish trushpëlarë si dhe si vetëmburrje për kastën që e solli në Tiranë për të legjitimuar vetveten. Me të njëjtën mënyrë siç sillen edhe me Nënë Terezën, së cilës i përdorin emrin e njohur për t’u vetëmburrur, por nuk i imitojnë aspak vetësakrifikimin për të tjerët që simbolizon ky emër”.
Këto të vërteta i duhen treguar Papës, shkruan Lubonja, “me mençurinë dhe thjeshtësinë e veçantë që e karakterizon, ai do ta gjejë vetë mënyrën që, brenda kornizave të vizitës së një burri shteti dhe kryebari i komunitetit katolik botëror, të përçojë një mesazh që më shumë të ndriçojë mendjet e zemrat e të varfërve e të paditurve të këtij vendi, sesa të legjitimojë pushtetarët që kanë krijuar këtë varfëri dhe padituri”.
Shkrimi i plotë i Fatos Lubonjës: Që Papa Françesku të mos keqpërdoret