Pas rrëfimeve të fundit të Gaspare Spattuza, një prej ish boss-ëve mafiozë, prokuroria po heton mbi lidhjet e mundshme gjatë viteve ’90 të një pjese të shtetit italian me mafien
A ka bërë pakte me mafien Shteti italian? A kanë gisht shërbimet sekrete në masakrat mafioze të fillimit të viteve 90? Këtë përpiqen të zbulojnë prokuroritë e Palermos dhe të Kaltanissetës, pas rrëfimeve të fundit të disa të penduarve.
Mes këtyre edhe Gaspare Spatuzza, ish-boss, fjalët e të cilit kanë sjellë rihapjen e hetimeve për autobombën që në korrik 1992 vrau gjykatësin Paolo Borsellino dhe 5 nga njerëzit e truprojës së tij. Spatuzza u vetakuzua për masakrën, por ngriti gishtin edhe kundër një agjenti sekret italian, që sipas tij, ishte i pranishëm gjatë përgatitjes së atentatit dhe foli për një negociatë të nisur asokohe mes një pjese të shtetit dhe mafies. Ngrihet dyshimi se Borsellino u vra edhe sepse përbënte pengesë për ato negociata.
Në 1992-shin Mafia ishte vënë përpara nga hetime dhe dënime dhe e konsideronte veten të tradhtuar nga referentët e saj politikë tradicionalë. Ndaj edhe kish nisur një seri aksionesh terroriste, si bomba që në maj kishte vrarë gjykatësin më të famshëm anti-mafie, Giovanni Falcone, bashkë me të shoqen e tre agjentë të truprojës. Të tjera bomba shpërthyen në 1993-shin në Milano, Firenze e Romë e më pas masakrat ndaluan. Mos vallë mafia, ngrenë pyetjen hetuesit, kishte marrë nga Shteti atë që kërkonte?