Gjykata vendos që Adrian Balliu, 44 vjeçari që vrau të shoqen Valmira, 30 vjeçe, duhet të presë gjykimin në burg. Tani që ka lënë fëmijët e tij pa nënë është i shqetësuar për ta: “Kujtohuni t’u jepni biberonin dhe biskotat”
Romë, 29 shtator 2014 – Gjykata e Genovas ka konvaliduar masën e sigurisë me arrest në burg për Adrian Balliun, 44 vjeçarin që mbrëmjen e 24 shtatorit ka vrarë me thikë Valmira Balliun, bashkëshortja e tij 30-vjeçare, me të cilën ka dy fëmijë të vegjël.
“Prej muajsh nuk shkonim mirë. – ka treguar vrasësi në gjykatë – Ajo ishte gjithnjë nervoze, u bërtiste fëmijëve, ndonjëherë edhe i rrihte. Kam dyshimin se kish një të dashur”.
44-vjeçari i ka shprehur gjykatësit edhe shqetësimin e tij për fëmijët: “Valmira kish provuar të më largonte fëmijët. Frika se një ditë nuk do të mund të rrija me fëmijët, më tmerronte”. E kotë t’i kujtosh sot që t’u merrte njëherë e përgjithnjë jetën e të ëmës, jo vetëm nuk zgjidhte problemet e tij, por ishte edhe krimi më i rëndë që ai u bënte fëmijëve të tij, njëra 3 e tjetri 4 vjeç.
Për probleme me drejtësinë, Balliut i ish hequr edhe pushteti atëror nga një vajzë që ai kish pasur nga një martesë tjetër. E dinte ç’do të thonte të jetonte pa pasur mundësi të takonte fëmijët, ndaj edhe u tha fillimisht forcave të rendit e më pas gjykatësit se nuk do të mund të jetonte pa ta.
Vrasja
Të mërkurën (24 shtator) në mbrëmje, Ardian Balliu është kthyer i dehur në shtëpi, në Casella në hyrje të Genovas. I verbuar nga xhelozia ka nisur të zihet me të shoqen, grindje që ka degjeneruar në vrasje: Balliu ka marrë dy thikë në kuzhinë dhe i është vërsulur të shoqes. kjo ka ndodhur në dhomën e gjumit të çiftit, ndërsa dy fëmijët e vegjël flinin në dhomën përbri.
Balliu ka thirrur menjëherë forcat e rendit që e kanë gjetur gruan mbi shtrat në një pellg me gjak me një thikë akoma në trup shumë afër zemrës. “E vrava unë” ka rrëfyer menjëherë 44-vjeçari krimin e tmerrshëm. E ndërsa e merrnin ta fusnin në burg, u thotë asistentëve socialë që kanë shkuar të merrnin fëmijët: “Mos harroni biberonin dhe biskotat”.