Janë “shqiptarët e shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar” të cilëve më 15 shtator qeveria u bëri thirrje të kandidojnë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë
Tiranë, 2 tetor 2014 – Janë 151 shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut që kanë kandiduar për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. E ka pohuar ditën e parë të tetorit kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”.
Është fjala për ata që i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit, që nga mesi i shtatorit, në emër të Qeverisë, lajmëroi çeljen e garës – e hapur edhe shqiptarët që jetojnë jashtë – për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit mbikëqyrës të BSh-së. U vu menjëherë në dispozicion një adresë mail apostafat për nisjen e “letrave të shprehjes së interesit”, gjë që u bë, jo për të ndikuar zgjedhjen e anëtarëve, që i takon Kuvendit të Shqipërisë, por për të siguruar “mundësi përzgjedhjeje sa më të gjerë”. Si afat i fundit i vlefshëm për shprehjen e kandidaturës përmes mail-it përcaktua data 30 shtator.
“Me 151 aplikantë mbyllet thirrja për shprehje interesi për kandidatë nga jashtë atdheut për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. FLM”, shkruan më 1 tetor Kryeministri Rama në postimin e tij.