Në institutet penitenciare italiane ka 68.527 të burgosur, nga këta rreth 25 mijë janë të huaj. Sipas shoqatës Antigone “kjo është rrjedhojë e ligjeve që ndëshkojnë mosrespektimin e dekretit të dëbimit dhe që parashikojnë dënime më të rënda për të huajt që përsërisin shkeljet”. Të burgosurit shqiptarë janë 2.717
Shoqata Antigone, nëpërmjet Qendrës së saj të Vëzhgimit, paraqiti raportin e shtatë mbi kushtet e burgjeve italiane. Kjo shoqatë politiko-kulturore, në të cilën bëjnë pjesë kryesisht gjyqtarë, punonjës të burgjeve, studiues, deputetë, profesorë dhe qytetarë të thjeshtë, është krijuar në fund të viteve tetëdhjetë dhe në këto vite ka pasqyruar në mënyrë sa më transparente gjendjen. Duke pasur autorizimin për të hyrë nëpër burgje, rreth 40 vëzhgues vullnetarë kanë parë qelitë dhe hapësirat e tjera, kanë biseduar me të dënuarit dhe kanë mbledhur të dhëna. Shifrat e fundit janë paraqitur më 22 tetor në Romë në raportin me titull “Nga Stefano Cucchi tek gjithë të tjerët. Një vit jetë në burgjet italiane”.
Gjëja e parë që bie në sy është mbipopullimi i 206 burgjeve italiane: shtretërit janë 44.612, ndërsa të burgosurit 68.527. Në raport vihet në dukje se gjatë viteve të fundit ka pasur një shtim të numrit të përgjithshëm të të burgosurve në Itali dhe në mënyrë të veçantë të numrit të të huajve. Sipas të dhënave “dy të tretat e të burgosurve janë të huaj”. Tanimë numri i të huajve në burgjet italiane ka arritur në gati 25 mijë, me një rritje prej 11.107 vetë në dhjetë vjetët e fundit. Por duhet mbajtur parasysh që numri i përgjithshëm i emigrantëve këto dhjetë vjet ka kaluar nga rreth 1,4 milionë në në 4,3 milionë. Sipas shoqatës Antigone “kjo është rrjedhojë e ligjeve që ndëshkojnë mosrespektimin e dekretit të dëbimit dhe që parashikojnë dënime më të rënda për të huajt që përsërisin shkeljet”.
Nëse shifrat analizohen nga një tjetër këndvështrim del se shpesh të huajt trajtohen ndryshe nga shtetasit italianë. Për të huajt shpesh përdoret burgimi paraprak (60% e të huajve në burgje janë në pritje të gjykimit) ndërsa mes italianëve kjo shifër zbret në 40%. Por jo vetëm kaq: shifrat dëshmojnë se të burgosurit italianë kanë mesatarisht më shumë akuza se të huajt: për çdo të burgosur të huaj mesatarja është afërsisht 2, mesatare që arrin 3,57% për të burgosurit italianë. Aq më tepër që një pjesë e madhe e shkeljeve ka të bëjë vetëm me lëndët narkotike (38,5% mes të huajve dhe 16,5% mes të burgosurve italianë) dhe mosrespektimi i dekretit të dëbimit.
Në raport arrihet në përfundimin se këto dallime mes të burgosurve italianë dhe atyre të huaj janë rrjedhojë e një politike të caktuar mbi emigracionin. Këtë e dëshmon fakti që një numër shumë i madh të huajsh ndodhen në burg sepse nuk kanë respektuar dekretin e dëbimit dhe se duke patur të njëjtën akuzë një i huaj qëndron më gjatë në burg se një shtetas italian. Shkaku duhet kërkuar edhe në garancitë e pakta, vështirësia e komunikimit për shkak të gjuhës apo mosnjohja e sistemit juridik.
Për sa i përket prejardhjes së të burgosurve të huaj, në raportin e shoqatës Antigone vendin e parë e zënë afrikano-veriorët (në veçanti marokenët, tunizianët dhe algjerianët) dhe rumunët me 3.045. Një fenomen më vete paraqesin të burgosurit shqiptarë, të cilët brenda një viti e gjysmë kanë kaluar nga 2.104 në 2.717, me një shtim prej gati 30%.
Ndërsa mes të burgosurve italianë regjistrohet një shtim shumë i madh i “padanëve”, gati 15% e personave të mbyllur në burg janë nga veriu. Pakësim i puliezëve, kalabrezëve dhe sicilianëve.
Sipas të dhënave të Antigone 43,7% e të burgosurve janë nën akuzë, 15.233 janë të burgosur në pritje të gjykimit, shifër kjo rekorde në Europë. Janë 28.154 ata që ndodhen në burg sepse kanë kryer shkelje që kanë të bëjnë me drogën dhe 11.601 të burgosur duhet të vuajnë një dënim nën një vit, mes këtyre të fundit gjysma janë të huaj. Janë 1.437 të burgosurit e përjetshëm italianë dhe vetëm 54 të huajt që duhet të vuajnë të njëjtin dënim.
Nga 288 faqet e raportit del dhe se sa larg janë burgjet italiane nga neni 27 i Kushtetutës që thotë:
“Dënimet nuk mund të përbëhen nga trajtime që bien në kundërshtim me ndjenjën njerëzore dhe duhet të synojnë në riedukimin e të dënuarit”.
Irida Cami, Bota Shqiptare 246