in

Perceptimi i emigrantit

Nga Rando DEVOLE

A janë të kënaqur emigrantët shqiptarë në Itali? Sa besim kanë tek të tjerët? Janë diskriminuar ndonjëherë në vendin ku jetojnë? Disa përgjigje mund të gjenden tek kërkimi shkencor i Istat-it italian me titull “Perceptimi i qytetarëve të huaj: kënaqësia, besimi e diskriminimi”, që u botua në fund të tetorit (periudha e referimit 2011-2012).

Para se të zbulojmë të dhënat që kanë të bëjnë me shqiptarët, le t’u hedhim një sy përfundimeve të përgjithshme. Pjesa më e madhe e të huajve në Itali janë të kënaqur me jetën në përgjithësi. 60,8% jep pikë të larta për kënaqësinë ndaj jetës. Më të kënaqur shprehen femrat dhe të rinjtë.

Megjithëse klima e mosbesimit i ka kapluar të gjithë, duket se italianët e ndjejnë më shumë negativitetin e saj. Në përgjithësi, të huajt kanë më shumë besim tek të tjerët. Që italianët janë më mosbesues e vërtetojnë gjithashtu pyetjet për kthimin e portofolit të humbur: kanë më pak besim se do t’u kthehet në xhep.

Shumë të huaj deklarojnë se kanë pësuar akte diskriminimi gjatë jetës së tyre. Disa pohojnë se janë diskriminuar për tiparet fizike, prejardhjen, të tjerë pranojnë se janë diskriminuar në punë, në shkollë ose gjatë kërkimit të banesës.

Kënaqësia e jetës

Po shqiptarët çfarë thonë? Pyetjes “Aktualisht, sa e ndjen veten të kënaqur për jetën në përgjithësi?” shqiptarët i përgjigjen me optimizëm: vlera mesatare 7,7. Mirëpo duhet të marrim parasysh ndonjë të dhënë tjetër, meqë 0,4% e të intervistuarve janë shprehur se nuk janë aspak të kënaqur nga jeta e tyre, sikurse ka të tjerë që nga 1-10 kanë dhëne vlerësimin prej 4 ose 5 pikësh, praktikisht diçka të mesme. Megjithatë, pjesa më e madhe e të intervistuarve (32,2%) kanë shënuar pikët 8 për të komunikuar kënaqësinë e tyre. Përgjithësisht, nga studimi i Istat del qartë se pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë janë të kënaqur nga jeta e tyre.

Për kureshtje mund të kujtojmë se kinezët, marokenët e tunizianët shprehen më pak të kënaqur se shqiptarët, kurse rumunët, moldavët, filipinasit e polakët, sa për të përmendur katër prejardhje të ndryshme, deklarohen mesatarisht, më të kënaqur.

Portofoli i humbur

Situata e përfytyruar është kjo. Të intervistuarit i humbet portofoli me parà. Pyetja që i bëhet është kjo: “E konsideroni shumë apo mjaft të mundshëm dorëzimin e portofolit nga…“, duke i lënë mundësinë të zgjedhë nga përgjigjet e mëposhtme: “Pjesa më e madhe e njerëzve është e denjë për besim”; “Duhet të jemi shumë të vëmendshëm”; “Një komshi”; “Një anëtar i forcave të rendit”; “Një person krejt i panjohur”.

Italianët duket se kanë më pak besim se të huajt. Vetëm 21% e tyre mendon se njerëzve mund t’u besosh, kurse të huajt kapin përqindjen 27,8.

Po shqiptarët çfarë mendojnë për mundësitë e portofolit? 21,8% e tyre mendon se pjesa më e madhe e njerëzve meriton besim; 78,2% pohon se duhet të jemi shumë të vëmendshëm; 58,8% mendon se portofolin do t’ia kthejë një komshi; 75% thotë se do t’ia sjellë dikush nga forcat e rendit; 11,2% shprehet se mund t’ia dorëzojë një person krejtësisht i panjohur.

Vazhdo leximin në: PERCEPTIMI I EMIGRANTIT

Falja e kamatvonesave për të vetëpunësuarit në bujqësi. Përfitojnë edhe emigrantët

Viterbo. Asllan Agaj, vrasësi i 31-vjeçares, ka vrarë një tjetër grua vite më parë