in

Përvjetori i katërt i 21 janarit. Ende s’ka drejtësi për familjarët e viktimave

Pasi u zhgënjyen nga sistemi i drejtësisë, familjarët e katër viktimave të protestës së 21 janarit 2011 po humbasin shpresat edhe te qeveria e majtë.
Nga Lindita Çela, BIRN 

Jeta e Ana Veizit është e ndarë në dy pjesë; para dhe pas 21 janarit 2011- dita kur babai i saj u vra bashkë me tre protestues të tjerë në tubimin para Kryeministrisë. Katër vjet pas ngjarjes, vajza adoleshente e Ziver Veizit shfaqet me fytyrë të zbehtë dhe sy të fikur në kolegjin turk të Durrësit, ku studion falë një burse të dhënë nga shteti.

Është e ndrojtur dhe e tërhequr, por flet me maturinë e një të rriture.

“Kanë kaluar 4 vjet dhe është shumë.  Si mund të pritet kaq gjatë për të dënuar ata që të gjithë i panë se vranë babanë tim. E vetmja gjë që dua është drejtësia,” thotë Ana, e trishtuar që përvjetori i katërt i 21 janarit po i gjen në të njëjtën situatë si më parë.

Drejtësia e munguar është dhimbja që ndajnë bashkë katër familjet e viktimave të protestës së 21 janarit; Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës. Në të katër shtëpitë e tyre janë hapur dyert për vizita, ndërsa shpresa po ia lë vendin dalëngadalë  zhgënjimit.

Dy të akuzuarit për vrasjet, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe ish-gardisti Agim Llupo ndodhen prej kohësh të lirë. Çështja e tyre ka ngecur prej një viti e gjysmë në Gjykatë të Lartë, ku gjasat janë të shtyhet edhe për disa kohë.

Pas zhgënjimit nga gjyqësori, familjarët e viktimave i kishin varur shpresat për drejtësi tek rotacioni politik, por ngjitja në pushtet e Edi Ramës nuk ka sjellë asnjë ndryshim në zbardhjen e plotë të vrasjeve të 21 Janarit.

Ana Veizi, ndër të paktët adoleshente që shkëmben mesazhe për festa e përvjetorë me kryeministrin Edi Rama e mirëkupton megjithatë, ndërsa thotë se ai s’mund t’i bëjë të gjitha njëherësh.

“Por do të kisha dashur që kjo histori të ishte mbyllur, të mos flitej më për 21 janarin, drejtësinë e munguar, familjarë që enden gjykatave. Do të doja që kjo histori të zgjidhej, e unë të jetoja një jetë normale”- thotë ajo.

Njësoj si për Anën, edhe jeta e Renato Myrtajt ka ndryshuar këto katër vite. Djali i Faik Myrtajt sapo është bërë baba, punon në OSHEE-në e Fierit dhe me zor ia del të sigurojë jetesën për familjen me 5 anëtarë.

Pritja e gjatë dhe vështirësitë e jetës ia nxjerrin hapur zhgënjimin që ka me drejtësinë, por edhe me pushtetin e së majtës në drejtim të çështjes së 21 janarit.

“Kurrë nuk ma merrte mendja që do të na linin pas dore. Ata që vranë babanë janë të lirë. Na premtohet drejtësi e çështja zvarritet gjykatave. Gati- gati po besoj që kujtohen për ne, vetëm kur duan të bëjnë homazhe për 21 janarin”- thotë i zemëruar Renato Myrtaj.

Të mërkurën është ceremonia e radhës, por Renato nuk dëshiron të bëhet më pjesë e një kortezhi të tillë. Një zhgënjim të ngjashëm e lexon edhe në sytë e familjarëve të Hekuran Dedës, të cilët presin miq e shpërndajnë cigare në shtëpinë e tyre në Laknas të Tiranës.

“Vitet vijnë duke e largu, ndërsa dhimbja thellohet. Kur shoh në televizor se ata që më vranë djalin, gëzojnë dhe qeshin, lus veten të futem sa më parë në dhe. Rroj për të parë drejtësinë të vihet në vend”- thotë Dudie Deda.

Nëna e Hekuran Dedës ka veçse pak javë që është përfshirë në skemën e pensionit social nga qeveria, duke siguruar pak para për familjen. “Katër vjet janë shumë. Ne nuk do ta falim kurrë 21 janarin, megjithëse kemi ende besim se Edi Rama do ta zbardhë çështjen,” thotë vëllai i Hekuranit, Zabiti.

Ndarja “komplekse” e 21 janarit

E ndërsa familjarët e viktimave janë të zhgënjyer nga pritja e gjatë, Prokuroria dhe Gjykata e Lartë kërkojnë ende kohë për t’u dhënë drejtim çështjeve. Nga të katër viktimat e 21 janarit, vrasja e Aleks Nikës është ende e pazbardhur dhe po hetohet në Prokurorinë e Tiranës.

Pak ditë më parë, bashkëshortja e tij, Rajmonda dhe xhaxhai Mark Nika takuan Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, me shpresën se do të shtynte përpara autoritetet shqiptare për zbardhjen e vrasjes.

“Kemi 4 vjet që endemi në dyert e institucioneve për të mësuar se kush është përgjegjës për vrasjen e Aleksit. Kjo zvarritje është vdekjeprurëse për ne dhe të afërmit tanë,” thotë Mark Nika. Ai bën përgjegjës Prokurorinë e Përgjithshme për dështimin 4-vjeçar me çështjen, por organi i akuzës thotë se kjo çështje është komplekse.

Albi Serani, këshilltar për mediat i Prokurorit të Përgjithshëm përgjigjet se janë kryer disa analiza të përbashkëta polici-Prokurori për 21 Janarin dhe se organi i akuzës i ka deleguar një numër të madh veprimesh Policisë së Shtetit.

“Janë shumë veprime dhe me natyrë komplekse të cilat kërkojnë kohën e tyre për të arritur në konkluzione konkrete,” thotë ai.

Kohë kërkon edhe Gjykata e Lartë, për të dalë me një vendim përfundimtar për dy të akuzuarit për 21 janarin. Prej 28 tetorit 2013, në Gjykatën e Lartë ka mbërritur rekursi i Prokurorisë kundër vendimit të Apelit që dënoi me 1 vit burg Ndrea Prendin dhe 3 vite burg Agim Llupon.

Një vit e gjysmë më pas, çështja ka mbetur ende në dhomën e këshillimit. Zëdhënësja e Gjykatës së Lartë, Ida Vodica pohon se është zgjedhur relatori i çështjes së 21 janarit, i cili është gjyqtari Edmond Islamaj, ndërsa lë të kuptohet se do të konsumohet afati i përcaktuar në ligj.

“Dhoma e këshillimit ka 2 vjet afat për të vendosur për 21 janarin,” thotë zëdhënësja e Gjykatës së Lartë.

I sprovuar me këto përgjigje nga sistemi i drejtësisë, Mark Nika pret më shumë rol nga ekzekutivi në mbylljen e këtij kalvari.

“Detyrimi i qeverisë aktuale është i madh, sepse dihet botërisht që ne na vrau qeveria Berisha. Por deri më tash kemi hasur në heshtje dhe është e papëlqyeshme për ne kjo punë,” thotë xhaxhai i Aleks Nikës.

Dëmshpërblimet presin firmën e Ramës

Kryeministri Edi Rama, njësoj si familjarët e viktimave e pret drejtësinë për 21 Janarin nga gjyqësori. Por ai vetë  ka marrë përsipër të zgjidhë me marrëveshje një çështje tjetër; atë të dëmshpërblimit për viktimat e 21 janarit.

Që prej 17 Janarit 2014, familjarët e viktimave kanë kërkuar nga shteti shqiptar një dëmshpërblim prej 400 milionë lekësh të reja, bazuar në legjislacionin shqiptar dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kërkesa erdhi pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që përtej dënimeve qesharake për të akuzuarit, e cilësonte Gardën e Republikës dhe Ministrinë e Brendshme përgjegjëse për 4 vrasjet në Bulevard. Një vit më pas, kjo kërkesë është në pritje të një vendimi nga Këshilli i Ministrave.

Familjarët e Aleks Nikës, të cilët kanë refuzuar të bëhen pjesë e një dëmshpërblimi të mundshëm nga qeveria, nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre për të mësuar se kush e vrau atë.

“Duam vetëm autorin e vrasjes, duam drejtësi. Asgjë tjetër,” përfundon Mark Nika.

Reporter.al

Flussi. Come si converte un permesso da studio a lavoro?

Ermir Kodra, president i klubit të futbollit të Parmës