Me propozim të ministrisë së Kulturës, Presidenti Nishani i ka njohur shtetësinë më 8 janar 2015. Për ç’interes kombëtar është marrë ky vendim?
Romë, 20 janar 2015 – Ezio Greggio, aktori komik italian e një nga prezantuesit historikë të “Striscia la Notizia”, është tashmë edhe shqiptar. Me dekretin nr. 8881 të datës 8 janar 2015, presidenti i Shqipërisë i ka dhënë atij shtetësinë shqiptare.
Në dekretin e presidentit lexohet:
“Në mbështetje të nenit 92, pika “c”, dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 9, pika 7, e nenit 20 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, bazuar edhe në propozimin e Ministrit të Kulturës,
D E K R E T O J
Neni 1
U jepet shtetësia shqiptare me kërkesë të tyre personave të mëposhtëm:
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Tiranë, më 08.01.2015
Nr. i dekretit: 8881”
Në dekret vërehet se për ndonjërin apo për të gjithë 15 vetët të cilëve u është dekretuar njëherazi shtetësia shqiptare, është ministrja e Kulturës ajo që ka bërë propozimin. Duke qenë se Ezio Greggio nuk jeton në Shqipëri që është një nga kriteret bazë për dhënien e shtetësisë, atij i është njohur ajo në bazë të pikës 7 të nenit 9 të ligjit mbi shtetësinë që thotë se “Të huajit, që ka mbushur moshën 18 vjeç, mund t’i jepet shtetësia shqiptare me natyralizim edhe në qoftë se nuk plotëson kushtet e këtij ligji, me përjashtim të pikës 6 (që thotë “Pranimi i tij si shtetas shqiptar të mos prekë sigurimin dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë”), në qoftë së Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar.
Edhe pse është goxha i njohur për publikun e gjerë, mbetet i paqartë interesi shkencor, ekonomik, kulturor apo kombëtar i Republikës sonë që ka shtyrë presidentin Nishani të dekretojë dhënien e shtetësisë Greggios.
Nga ana tjetër e Adriatikut, “mendjeligët” mendojnë se Greggio mund të përdorë shtetësinë shqiptare për t’i shpëtuar tatimit në Itali. Verën e shkuar komikut – që mban rezidencën në Principatën e Monakos, e konsideruar parajsë fiskale – iu desh të bëjë një marrëveshje me Zyrën e tatim-taksave në Itali prej 20 milionë eurosh për taksa të prapambetura mbi fitimet që Greggio realizonte si prezantues i “Striscia la Notizia” por që nuk kish deklaruar këtu.