Shpërblehet gjesti i lartë i të riut nga Bangladeshi që shpëtoi një turiste izraeliane. “Kam mësuar të notoj gjatë përmbytjeve”
Romë, 14 maj 2015 – Rrugëve të Romës është një hero që shet lule. Quhet Sobuy Khalifa, 33 vjeç, ka ardhur nga Bangladeshi në vitin 2008 dhe, pa leje qëndrimi në xhep, deri tani ka bërë si ka mundur, si mijëra klandestinë. Duke ndihmuar romakët të parkojnë makinat, duke shitur çadra ditëve me shi apo lule çifteve në qendër. Fle nën një urë dhe i çon familjes në vendlindje ato pak euro që arrin të kursejë.
Të martën pasdite, përballë ishullit Tiberin në qendër të Romës, Khalifa pa një grua që ra në lumë. Pa u menduar dy herë u hodh, e arriti dhe e nxori nga uji. Gruaja, turiste izraeliane 55 vjeçe, u çua në spital, Khalifa, ashtu qull, u çua në zyrat e policisë, ku nuk vonoi shumë e u mësua se ishte pa leje qëndrimi.
Por nuk mund të shoqërosh një hero të tillë në kufi e ta përzësh. Kështu, kuestura e Romës vendosi ta “shpërblejë” për guximin e tij me një leje qëndrimi për motive humanitare. Edhe kryetari i bashkisë së Romës, Marino, e thirri: “E falënderova për gjestin e tij të mrekullueshëm, kaq heroik dhe njerëzor. Më bëhet shumë qejfi që akti i tij “u shpërblye” me lejen e qëndrimit”.
“Kam mësuar të notoj në vendlindje. Ka det, por ndodhin edhe shumë përmbytje gjatë gjithë vitit. Duhet të notosh, përndryshe vdes: rryma është e fortë, më e fortë se ajo e Tiberit” ka treguar Khalifa për Corriere della Sera. E gazetarit që i vuri në dukje se ai mysliman i shpëtoi jetën një hebreje iu përgjigj me qetësi: “Do ta kisha bërë për këdo”.
Dikush tjetër kërkon një tjetër akt mirënjohjeje për Khalifën: “Do t’i kërkojmë Kryebashkiakut të Romës dhe Këshillit që këtij njeriu plot kurajë t’i njihet Qytetaria e nderit” lajmëron Gianluca Peciola, kryetar i grupit të SEL-it në Bashkinë e Romës.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)