Një mjek rrezikon të paditet. Pacienti i tij arriti t’i shpëtojë policisë
Romë, 30 nëntor 2010 – Favorizim i imigracionit ilegal. Është kjo akuza që rrezikon të bjerë mbi një mjek që kuroi njërin prej imigrantëve që protestonte mbi një oxhak fabrike në Milano për të kërkuar dokumente qëndrimi.
Një egjiptian 23-vjeçar pati probleme shëndetësore të shtunën në mbrëmje. Pasi u kurua në majë të oxhakut ku ndodhej, atë e kanë bindur të zbresë dhe të shkojë për mjekim në spitalin San Paolo. Më 28 nëntor ai u la të dilte nga spitali dhe arriti t’i shpëtojë edhe kontrollit të policisë e cila duhet ta shoqëronte në Kuesturë për identifikimin dhe për një dëbim të mundshëm.
Një dështim për Kuesturën që tani po heton: “Aktiviteti hetues – lexohet në një komunikatë, – synon të qartësojë përgjegjësitë individuale të personelit mjekësor dhe të personave të tjerë që nuk janë pjesë e strukturës shëndetësore, që kanë ndihmuar të huajin të ikë nga spitali, kur i është dhënë dalja, duke i shpëtuar kontrollit të organeve të policisë”.
Kuestura deklaron se do të shqyrtojë “korrektësinë e procedurave të ndjekura, meqenëse një pjesë e personelit mjekësor dhe persona të tjerë jashtë strukturës shëndetësore, kanë pasur qëndrime që mund të futen në shkeljen e favorizimit të imigracionit ilegal”. “Faktet që përbëjnë shkelje – përfundon komunikata e policisë – do të jenë objekt i padisë pranë autoriteteve gjyqësore”.
Kundër hipotezës së paditjes së mjekut, ngrihet Partia Demokratike, duke bërë të ditur se do t’i paraqesë një pyetje zyrtare ministrit të Shëndetësisë.
“Ideja që një mjek, i cili ka për detyrë të kurojë njerëzit, duhet të merret me kushtet juridike të personit që po shpëton në kushte urgjence, është jashtë parimeve tona të qytetërimit” deklaron Emanuele Fiano, kryetar i Forumit për Sigurinë i Partisë Demokratike. “Ne, – përfundon Fiano, – vazhdojmë të mendojmë që betimi i Hipokratit ka vlerë etike që kapërcen çdo hipotezë penale për favorizimin e një personi që ka humbur lëngjet e trupit mbi një kullë sepse nuk ka lejeqëndrim”.