in

BE i jep të drejtë Italisë: “Burg të huajit nëse rifutet ilegalisht pas dëbimit”

Gjykata Europiane e Drejtësisë i jep të drejtë Prokurorisë së Firences që kërkoi tetë muaj burg për një qytetar shqiptar që ishte kthyer në Itali edhe pse e kishte të ndaluar. Për BE-në, dënimi me burg nuk shkel “direktivën mbi riatdhesimet”.

Romë, 4 tetor 2015 – Të dënosh me burgim imigrantët që hyjnë ilegalisht në Itali pas një dëmimi? Edhe Evropa thotë që mund të bëhet. E ka konfirmuar më 1 tetor një vendim i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, organ që gjykon nëse normat kombëtare të vendeve anëtare respektojnë direktivat evropiane.

Gjykata evropiane u mor me rastin e shqiptarit Skerdjan Çelaj që i dëbuar në vitin 2012 me një ndalim hyrjeje për 3 vjet, është kapur sërish në Itali para përfundimit të këtij afati. Prokuroria e Firences kërkoi që Çelaj të bënte tetë muaj burg.

Në fakt, teksti unik mbi imigracionin parashikon në të tilla raste deri në 4 vjet heqje lirie. Por Gjykata e Firences, para se të merrte vendimin e saj, iu drejtua Gjykatës së Drejtësisë për ta pyetur mos vallë ky dënim shkel “direktivën mbi riatdhesimet” të BE-së (2008/115/BE).

Gjykata evropiane është përgjigjur duke thënë para së gjithash që “direktiva mbi riatdhesimet” nuk bie ndesh, parimisht, me një direktivë që konsideron vepër penale hyrjen e re ilegale të një qytetari të një vendi të tretë në shkelje të ndalimit të hyrjes. Mund të parashikohet edhe një dënim me burg, me kusht që të mos kompromentojë përmbushjen e objektivave të ndjekur nga direktiva.

Sipas gjykatësve, riatdhesimet e imigrantëve të parregullt “janë pjesë integruese e zhvillimit, nga anë e BE-së, të një politike të përbashkët imigracioni që nënkupton sigurimin, në veçanti, të parandalimit të imigracionit ilegal dhe kundërshtimin e përforcuar të tij”.

Pra “sipas normave kombëtare dhe në respekt të të drejtave themelore” mund t’u aplikohen edhe dënime penale “të huajve ndaj të cilëve është marrë masa e dëbimit dhe që vazhdojnë të jetojnë në mënyrë të parregullt pa pasur ndonjë motiv të justifikuar që të pengojë riatdhesimin”.

“Direktiva mbi riatdhesimet” përfundon Gjykata Evropiane “nuk përbën pengesë, parimisht, për një normativë të një vendi anëtar që mund të parashikojë dhënien e një dënimi me burg një qytetari të një vendi të tretë, i cili pasi është kthyer në atdhe për shkak të një mase të mëparshme dëbimi, rihyn ilegalisht në territorin e të njëjtit shtet duke shkelur ndalimin e hyrjes”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Gianni De Biasi, “Doctor Honoris Causa” nga UET

Marrëveshja e integrimit. Nuk mund të qëndrojë në Itali kush nuk çon fëmijët në shkollë