U arrestua në Lushnje në korrik për llogari të drejtësisë italiane që e akuzon për lidhje me terrorizmin ndërkombëtar
Tiranë, 23 shtator 2015 – Policia shqiptare njofton se Interpol Tirana ka kryer dje dy ekstradime drejt Italisë.
Një prej të ekstraduarve është Baki Çoku, 40-vjeçar, i arrestuar më 1 korrik 2015 me kërkesë të Prokurorisë së Milanos që e akuzon për veprimtari kriminale me qëllime terroriste.
Çoku është arrestuar në Lushnje njëkohësisht me katër të tjerë në Itali (pesë të tjerë janë në kërkim) në kuadrin e një operacioni me të cilin u godit një familje italo-shqiptare që nga hetime të gjata rezulton të jetë celulë e ISIS-it në Itali. Sipas akuzës, në qendër të organizatës kriminale janë Maria Giulia Sergio, 27 vjeç, e njohur si “Lady Jihad”, dhe bashkëshorti i saj Aldo Kobuzi, 27 vjeç, që nuk u arrestuan dot pasi vitin e kaluar kanë shkuar në Siri për t’iu bashkuar luftëtarëve të ISIS-it.
Sipas autoriteteve italiane, Çoku rezulton i implikuar pasi “ka organizuar martesën e nipit Aldo Kobuzi me Maria Giulia Sergion me qëllim vajtjen ne Siri dhe pjesëmarrjen në konfliktin e armatosur”.
Po dje, Interpol Tirana kreu edhe ekstradimin drejt Italisë të shtetasit Erdiol Çelaj, 27 vjeç, për të cilin në maj të vitit të shkuar Gjykata e Genovas ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Lexo edhe: Dhjetë urdhërarreste për familjen italo-shqiptare, celulë ISIS në Itali