in

Rruga e vështirë e reformës së shtetësisë italiane. Paraqiten 240 amendamente

Ka nisur në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese e Dhomës së Deputetëve shqyrtimi i amendamenteve të tekstit që do të ndryshojë rregullat për t’u bërë italian. A do të arrihet të çohet një tekst përfundimtar në Sallë brenda shtatorit?

Romë, 23 shtator 2015 – “Shtetësi menjëherë për bijtë e lindur në Itali!”, “Jo, më parë duhet të mbarojnë shkollën …”, “Po për të rriturit nuk do të mendojmë?”.

Mjafton t’u hidhet një sy 240 amendamenteve të paraqitura në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese e Dhomës së Deputetëve nga të gjitha grupimet politike, përjashtuar Lëvizja 5 Yjet, për të kuptuar se ç’rrugë të minuar ka teksti i reformës së shtetësisë në Parlament e sa i pasigurt është versioni përfundimtar që do të dalë prej tij.  Në fakt, të gjitha amendamentet kanë një qëllim: të modifikojnë tekstin e unifikuar të paraqitur nga Marilena Fabbri (PD), që u dedikohet bijve të imigrantëve. Sipas këtij teksti (fillestar, e nuk është aspak e sigurt që do të arrijë kështu në Dhomën e Deputetëve), parashikohet të jenë menjëherë italianë nëse lindin këtu e nëse nëna apo babai janë rezidentë të rregullt prej të paktën pesë vjetësh, përndryshe duhet që më parë të frekuentojnë pesë vjet shkollë.

Ka forca politike që nuk e duan fare reformimin e ligjit të sotëm, ose që duan ashpërsimin e rregullave në fuqi, e të tjera që duan të përfshijnë në reformë edhe përgjysmimin e kohës së natyralizimit për të rriturit.

amendamentet e Legës, që përbëjnë thuajse gjysmën e të gjithave të paraqitura në komision, duan t’i bëjnë gropën reformës ose ta përdorur për të ashpërsuar edhe më tej rregullat për t’u bërë italian. Forza Italia as që do të dëgjojë të flitet për ius soli, as të zbutur, por një amendament i saj parashikon që qoftë për ata që kanë lindur në Itali qoftë për ata që kanë ardhur këtu të vegjël, rruga për t’u bërë italianë duhet të jetë shkolla. Të tjera amendamente parashikojnë edhe një kurs të posaçëm gjuhe, historie e kushtetute për italianët e ardhshëm, sikur shkolla të mos mjaftonte për këto njohuri.

Nga ana tjetër, nuk mungojnë amendamente të të majtës që duan të zgjerojnë kategorinë e italianëve të mundshëm. PD, për shembull është e gatshme të reduktojë vitet e “vjetërsisë” së rezidencës së rregullt të prindërve, që do të mjaftonin që fëmijëve të lindur në Itali t’u jepej menjëherë shtetësia. Ndërsa SEL mendon  edhe për të rriturit përmes përgjysmimit të viteve të nevojshme të rezidencës para paraqitjes së kërkesës për shtetësinë.

Komisioni ka nisur të martën, 22 shtator, shqyrtimin dhe votimin e amendamenteve. Reforma pritet të arrijë në Dhomën e Deputetëve në fund të shtatorit. Pra kanë vetëm një javë kohë, a do të arrijnë këtë herë deputetët e komisionit të Çështjeve Kushtetuese të respektojnë afatin? Të shumtë ata që presin e shpresojnë. Janë me mijëra të huaj që mendojnë për bijtë e tyre e me mijëra të rinj të të ashtuquajturit “brez i dytë i imigracionit” që të huaj nuk ndihen aspak, por të tillë janë për dokumentin që mbajnë në xhep.

Sjellë me shkurtime nga portali simotër Shqiptarët në Romë ku gjeni artikullin e plotë: Shtetësia italiane, 240 mënyra për të ndryshuar reformën

Ekstradohet nga Shqipëria Baki Çoku, anëtar i celulës ISIS në Itali

Eurostat: 17.665 shqiptarë kanë kërkuar azil në BE gjatë tremujorit të dytë 2015