in

Taksa mbi lejeqëndrimet. “Qeveria ta heqë menjëherë”

Cgil dhe Inca kërkojnë respektimin e sentencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Letër ministrave Alfano dhe Padoan

Romë, 3 tetor 2015 – Kontributi për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit, nga 80 deri në 200 euro në ngarkim të imigrantëve është i tepruar, nuk justifikohet nga shpenzimet e Shtetit për lëshimin apo përtëritjen e dokumentit dhe përbën pengesë për integrimin. E ka thënë plot një muaj më parë sentenca e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, ka ardhur koha që qeveria italiane ta eliminojë.

Këtë kërkojnë Cgil dhe Inca (që ndërkaq po mbledhin kërkesat e dëmshpërblim të imigrantëve), në një letër dërguar më 2 tetor ministrit të Brendshëm Angelino Alfano dhe ministrit të Ekonomisë Pier Carlo Padoan.

Sekretarja e sindikatës Vera Lamonica dhe presidentja e patronatit Morena Piccinini u kujtojnë ministrave që “në vitin 2012, CGIL dhe patronati INCA paraqitën një ankesë në TAR të Lazios kundër dekretit 304/2011 duke kërkuar anulimin e tij”, dhe që “Gjykata Administrative e pa të udhës të kërkonte mendimin e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së”.

Kjo e fundit, më 2 shtator 2015, me një “vendim të rëndësishëm”, “ka quajtur kontributin e shtuar nga 80 deri në 200 euro, i cili prej 2012-tës kërkohet në Itali për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit, të tepruar dhe që përbën pengesë për të huajt në integrimin dhe në gëzimin e të drejtave që parashikohen për ta nga normat evropiane”.

“Tani – shpjegohet në letër – çështja do të kthehet në TAR të Lazios, e cila duhet të japë vendimin e saj. Është e natyrshme – nënvizojnë Cgil dhe Inca – që sentenca e Gjykatës Evropiane do të kushtëzojë vendimin e Gjykatës Administrative, për rrjedhojë shuma e kontributit duhet rishikuar sepse kështu siç është tani i mungojnë bazat juridike”.

“Na duket e arsyeshme – përfundojnë Lamonica dhe Piccinini – që Qeveria të ndërhyjë menjëherë për modifikimin e normës, duke e shfuqizuar dekretin dhe duke eliminuar shumat që qytetarët e huaj paguajnë si kontribut shtesë”.

Lexo edhe:
Taksa mbi lejet e qëndrimit. Nisin kërkesat e imigrantëve për rimbursimin e saj
Taksa mbi lejet e qëndrimit. Gjykata e Drejtësisë: “Është tepër e lartë”

Rrahin një të mitur me aftësi të kufizuara, arrestohen dy shqiptarë

Gianni De Biasi, “Doctor Honoris Causa” nga UET