in

Çeku i mëmësisë, punonjëseve të huaja nuk u nevojitet karta e qëndrimit

Gjykata e Brescia-s zgjeron kategorinë e përfitueseve të çekut për nënat me punë me kontratë atipike dhe jo të vazhdueshme. “Çeku shërben për të garantuar kushte jetese të pranueshme”.

Romë, 20 tetor 2015 – Mes nënave nuk bëhet dallim. Ato që nuk punojnë sepse sapo janë bërë me fëmijë duhen ndihmuar pavarësisht nga shtetësia që kanë apo lloji i dokumentit të qëndrimit. Një sentencë e fundit e Gjykatës së Brescia-s që ka pranuar ankimin e shqiptares Sabina Shahini, jo vetëm i jep të drejtë asaj, por në përgjithësi, zgjeron kategorinë e përfituesesve të “çekut të mëmësisë për punë atipike dhe të pavazhdueshme”. Është fjala për një ndihmë ekonomike, diçka më shumë se 2.000 euro që shteti, përmes INPS-it, u jep punonjëseve që nuk kanë përmbushur kriteret për të pasur kompensimin e zakonshëm të mëmësisë.

portalin zyrtar të INPS-it renditen kriteret për të marrë këtë çek. Dhe ligji italian (neni 75 i dekretit legjislativ 151/2001), mes të tjerash, parashikon që t’u jepet vetëm nënave italiane ose komunitare, apo edhe atyre jokomunitare por vetëm nëse kanë kartën e qëndrimit, pra lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë. Kështu që sipas asaj që shkruan INPS përjashtohen nga mundësia e përfitimit të çekut të gjitha të huajat, si Sabina Shahini, titullare të një lejeqëndrimi të zakonshëm të vlefshëm për të punuar.

Ky shtrëngim ligjor, kanë vendosur gjykatësit, shkon kundër ndalimit të diskriminimit për kombësi të vendosur nga neni 14 i Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut dhe nga neni 21 i Kartës të së drejtave themeltare. Në fakt ligji italian aplikon padrejtësisht një dallim të bazuar mbi shtetësinë për dhënien e shërbimeve e asistencës që kanë për qëllim të garantojnë “kushte të pranueshme jetese”.

Në vendimin e gjykatës citohen disa vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe nënvizohet që ligji italian nuk aplikohet nëse është në kundërshtim me normat e të drejtës ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, gjykatësit kanë urdhëruar INPS-in t’i paguajë çekun e mëmësisë për punë atipike dhe të pavazhdueshme Shahinit edhe pse titullare e një lejeqëndrimi të zakonshëm.

Shkarko vendimin e Gjykatës
Tribunale Brescia, ordinanza del 5 ottobre 2015, est. Pipponzi, XXX (avv. Guariso e Neri) c. INPS (avv. Roberto Maio)

 

Shqipëria në Panairin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Torino

19 tetor, Dita e Shqipërisë në EXPO Milano