in

19 tetor, Dita e Shqipërisë në EXPO Milano

Muzikë e valle tradicionale, ushqime tipike shqiptare, forum mbi biznesin në prani të ministrave shqiptarë. Më në fund mbërrin edhe Dita e Shqipërisë në EXPO Milano

Romë, 20 tetor 2015 – Ndërsa EXPO Milano po i afrohet mbylljes, kush vendosi ta vizitonte atë dje ka pasur një surprizë të bukur nga pavijoni i Shqipërisë. Aq shumë i kritikuar për zbrazëtinë e tij e për veprimtaritë e pakta të zhvilluara në këto thuajse 6 muaj, dje ka ofruar maksimumin e tij, me Ditën Kombëtare të Shqipërisë, që është veprimtaria kryesore që shtetet organizojnë në Expo, ku e gjithë vëmendja përqendrohet tek promovimi i vendit në aspekte të ndryshme që përfshijnë kulturën, historinë, traditën, muzikën dhe folklorin, kulinarinë dhe atraksionet turistike e natyrore.

Për të gjithë shqiptarët kjo datë, që korrespondon me Lumnimin e Nënë Terezës, është një festë kombëtare, dhe për këtë arsye kjo ditë e veçantë u zgjodh të ishte “Dita e Shqipërisë” në Expo Milano 2015.

19 tetor, Dita e Shqipërisë në EXPO Milano Në ceremoninë e djeshme mori pjesë një delegacioni zyrtar shqiptar, i kryesuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, në të cilin merrte pjesë dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Në fjalën e hapjes së Ditës së Shqipërisë, ministri Ahmetaj tha se “pjesëmarrja në Expo është një mundësi shumë e mirë për prezantimin e vendeve. Edhe Shqipëria është munduar të promovojë vlerat e saj qoftë në aspektin e traditës, kulturës, kulinarisë që kanë qenë elementët ku është fokusuar këtë vit Expo Milano, por edhe si një destinacion atraktiv për turizmin”.

Ministri bëri një prezantim të performancës ekonomike të vendit, klimën e biznesit, mundësitë për investime dhe lehtësitë që Shqipëria ofron në këtë drejtim, duke venë një theks të veçantë tek turizmi për shkak të natyrës së bukur, mikpritjes shqiptare, ushqimit bio dhe çmimeve ekonomike.

Ai promovoi edhe turizmin historik e kulturor, ekoturizmin, turizmin e aventurës apo agroturizmin, si pjesë e ofertës turistike të vendit tonë. Ministri falënderoi Komisarin e Përgjithshëm të Expo, Bruno Antonio Pasquino, i pranishëm në ceremoni, për mbështetjen ndaj pavionit shqiptar si dhe të pranishmit ne ceremoni.

Ministri Ahmetaj gjithashtu firmosi Kartën e Milanos, me anë të së cilës firmëtarët angazhohen të ndërmarrin nisma konkrete dhe të vendosura në kuadër të përmirësimit në menaxhimi dhe shpërndarjen racionale te burimeve natyrore.

Gjatë Ditës së Shqipërisë në EXPO u mbajt edhe një forum mbi biznesin me sipërmarrës shqiptarë e italianë që kishte për qëllim përforcimin e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve.

Pas ceremonisë zyrtare, Dita e Shqipërisë u gjallërua nga muzika, këngët e vallet tradicionale e artistëve shqiptarë që prej vitesh jetojnë në Itali e të tjerë të ardhur nga Shqipëria. Tërhoqën vëmendjen e vizitorëve të EXPO-së deri në orët e vona të mbrëmjes zërat drithërues të Albanian Iso Polyphonic Choir të shoqëruar në piano nga Robert Bisha; këngëtarja e mirënjohur Vikena Kamenica & Keli Band, që sollën ngjyrat e muzikës folk dhe jazz; Genci Kastrati dhe valltarët e AKKVP, fëmijët e mrekullueshëm të Qendrës së fëmijëve të Korçës, që mahnitën vizitorët me energjinë e kërcimit;
ish balerina e parë e Teatrit kombëtar të Operës dhe Baletit, Lola Fejzo, që solli për publikun historinë e kërcimit nga lashtësia deri në ditët tona dhe shumëllojshmërinë e koreografive dhe të kostumeve nga Veriu deri në Jug të vendit; kantautori Joe Artid Fejzo që solli këngët e tij me temë sociale të dedikuara emigracionit por edhe gërshetime artistike mes këngës shqiptare dhe asaj italiane e napolitane; grupi i të rinjve nga shqiptarë të Italisë të veshur me costume popullore i organizuar nga Afërdita Shani dhe Lina Çaushi; veprimtaritë e arbëreshëve të organizuara nga revista Kamastra: ushqime, identitet, gjuhë, letërsi, muzikë dhe folklore me  titullin “Trendafile e arben  Grupi folklorik arbëresh”.

Dita u mbyll me një show-cooking dhe ushqime tipike shqiptare e arbëreshe dhe verëra të kantinës Çobo.

Lexo edhe:

Shqipëria në EXPO. Një rast i humbur?
Altin Prenga porta Profumi e Sapori d’Albania all’Expo di Milano
Shqipëria në EXPO. “Një gotë dhallë të kishin ofruar, të paktën!” (Migreat.it)
Shqipëria në EXPO. Propozime për një darkë shqiptare  (Migreat.it)
“Ushqimi ynë, historia jonë, misteri ynë”. Shqipëria në Expo Milano 2015

Video dhe fotografi nga Dita e Shqipërisë në EXPO Milano 2015:

EXPO Milano 2015

Dita kombëtare mbetet ngjarja kryesore e shteteve pjesëmarrëse në EXPO Milano 2015. Shqipëria zgjodhi 19 tetorin, ditën e lumturimit të Nënë Terezës. Vikena Kamenica&Keli Band në koncertin zyrtar të Shqipërisë.

Posted by Ministria e Kulturës on Mercoledì 21 ottobre 2015

Çeku i mëmësisë, punonjëseve të huaja nuk u nevojitet karta e qëndrimit

Striscia la Notizia për Agon(ia) Channel: Nuk ka paguar as fituesit e emisioneve