in

Flukset. Mbërrin një mini-dekret

Në vitin 2016 u hapet rruga punonjësve sezonalë, të pavarur dhe konvertimeve të lejeve të qëndrimit. Ndërkaq, po mendohet për një programim serioz për të rihapur kanalet e hyrjeve të rregullta në Itali

 

Romë, 6 nëntor 2015 – Asnjë e papritur për dekretet e flukseve. Të njëjtat shifra, ndryshon vetëm forma.

Ministria e Punës dhe ajo e Brendshme po përgatisin një mini-dekret fluksesh, që duhet të ketë pak a shumë të njëjtat kuota të këtij viti. E vetmja risi është mbledhja bashkë e të gjithave: me të njëjtin dekret do t’u hapet rruga  13 mijë hyrjeve për punë sezonale, disa mijëra hyrjeve për punonjës të pavarur ose të varur që kanë ndjekur programet e formimit në vendlindje dhe 100 hyrjeve për punonjës të Amerikës së Jugut me prejardhje italiane.

Por ashtu si vitin e shkuar, një pjesë e mirë kuotash, 12 mijë, do të rezervohen për konvertimet e lejeqëndrimit. Pra ato do të mund të përdoren nga shtetas të huaj që jetojnë në Itali për motive të tjera (punë sezonale, studime, persona me kartë qëndrimi të lëshuar nga shtete të tjera të BE-së) e që tani do të mund të transformojnë dokumentin e tyre të qëndrimit në lejeqëndrim për punë të varur ose të pavarur. Dekreti duhet të shpallet në janar 2016, në mënyrë që kërkesat të mund të paraqiten gjatë vitit.

Dështimi i flukseve sezonale

Kjo ka dalë në dritë, jo zyratisht, nga një takim që është zhvilluar dje pranë drejtorisë së imigracionit të ministrisë së Punës me përfaqësues të sindikatave Cgil, Cisl e Uil. Rasti ishte i vlefshëm edhe për të komentuar dështimin e hyrjeve për punë sezonale gjatë vitit 2015. Nga 30 mijë kërkesat e paraqitura, vetëm 2 mijë janë transformuar në kontrata pune, kjo edhe për shkak të vonesave të tepruara në shqyrtimin e praktikave: zyrat e përfshira kanë arritur të gjykojnë vetëm 5 mijë kërkesa.

“Ç’vlerë  flukset për sezonalët siç janë aktualisht?” pyet Giuseppe Casucci, koordinator kombëtar i Departamentit të Politikave Migratore të sindikatës UIL. “Punonjësit nuk mbërrijnë në kohë për nevojat e bujqësisë dhe, në këtë sektor ashtu si edhe në të tjerë, kaporalët rezultojnë shumë më efikasë në gjetjen e pikëtakimit mes kërkesës dhe ofertës, me gjithë dozën e shfrytëzimit që aktiviteti i tyre sjell. Më duket absurde që të programohen kuota për punonjës sezonalë në 2016-tën, kur akoma nuk është e mundur të jepet pjesa më e madhe e atyre të vitit 2015”.

Hyrjet e vërteta për punë

Lajme të mira? Vetëm një. Me sa duket, ndoshta të bindur edhe nga sinjalet e lehta të rimëkëmbjes në aspektin e punësimeve të të huajve, qëveria është e gatshme të rinisë një programim serioz të hyrjeve për punë që praktikisht janë bllokuar prej vitit 2010, kur doli i fundit dekret i mirëfilltë fluksesh. Duket se mekanizmi po rivihet në punë. Shpejt duhet të thirret komiteti që përfshin ministritë (të Brendshme, të Jashtme dhe të Punës), Entet locale, sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve, për t’iu përgjigjur pyetjeve: Për sa punonjës të rinj ka nevojë Italia? Në cilët sektorë?

Pas ballafaqimit, do të mbërrijnë shifrat dhe do t’u hapet rruga ardhjeve të reja. Por për këtë do të duhen muaj, ndoshta edhe një vit kohë.

Elvio Pasca

 

 

 

Flukset e sezonalëve: 13 mijë kuota, 30 mijë kërkesa, vetëm 2 mijë lejeqëndrime

Genova. Vret veten në burg Asllan Agaj, vrasësi i dy grave