Është pakti mes imigrantëve dhe Italisë: fiton pikë e mund të qëndrojë në Itali kush mëson gjuhën dhe edukatën qytetare, çon fëmijët në shkollë etj. Firmat më të shumta në Romë e Milano
Romë, 12 nëntor 2015 – Mund të jetosh në Itali, por vetëm nëse respekton ligjin e nëse angazhohesh për t’u integruar. Ç’të bësh? Para së gjithash të mësosh italishten e edukatën qytetare dhe të çosh fëmijët në shkollë.
Ky është thelbi i Marrëveshjes së Integrimit që nga viti 2012 duhet të nënshkruajnë të gjithë të huajt që mbërrijnë në Itali. Një sistem i ri që ka sjellë edhe të ashtuquajturën leje qëndrimi “me pikë”, me shtim kreditesh për çdo objektiv të arritur e shkurtime për çdo hap të gabuar.
Të gjithë e nisin me 16 pikë dhe kanë për qëllim të mbledhin të paktën 30. Pas dy vjetëve nga nënshkrimi i marrëveshjes, parashikohet një verifikim (edhe me një testim të italishtes dhe edukatës qytetare) dhe nëse është e nevojshme jepet edhe një vit shtesë nëse objektivi i 30 pikëve nuk është arritur.
Sipas një tabele të botuar pak ditë më parë nga ministria e Brendshme, deri në 9 nëntor 2015 mes shtetit dhe imigrantëve janë lidhur 227.414 marrëveshje. Pjesa më e madhe në Romë (26.435, 11,62% e të gjitha marrëveshjeve) dhe në Milano (24.501, 10,77%), në Torino (8.925, 3.92%), Napoli (8.389, 3,69%), Firence (7.066, 3,11%), Bergamo (6.901, 3,0%) e Brescia (6.542, 2,88%).
Në pamje të parë duken pak, po të konsiderohet që në Itali jetojnë rreth 4 milionë shtetas jokomunitarë. Por duhet mbajtur parasysh që marrëveshja nënshkruhet vetëm nga të sapombërriturit dhe që në këto vite hyrjet për punë kanë qenë thuajse të bllokuara. Ministria nuk jep asnjë të dhënë mbi shtetësinë e të huajve, ndaj nuk është e mundur të dimë sa prej 230 mijë marrëveshjeve të integrimit janë nënshkruar nga shqiptarë.
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)