in

Martesat në Itali të shqiptarëve. Mëse gjysma ka dhëndrin italian

Të dhënat e fundit ISTAT për vitin 2014. Martesat me të paktën një bashkëshort me shtetësi shqiptare janë rreth 1.300 dhe kanë pësuar rënie në krahasim me një vit më parë

Romë, 12 nëntor 2015 – Bie numri i martesave.  Jo vetëm i atyre mes shtetasve italianë, por edhe i të ashtuquajturave të përziera në të cilat vetëm njëri prej nuses apo dhëndrit është i huaj. Këtë thotë ISTAT në një raport të botuar sot mbi “Martesat e ndarjet” gjatë vitit 2014. Më në hollësi, gjatë vitit të shkuar janë lidhur në martesë 189.765 çifte (ndërsa martesat e vitit 2013 ishin 194.057) dhe nga këto 24.230 kanë të paktin njërin prej bashkëshortëve të huaj (nga 22.860 të 2013-tës). Çiftet e përziera të lidhura në martesë vjet janë 17.506, ndërsa në vitin 2013 ishin 18.273. Si gjithnjë, pjesa më e madhe e çifteve të përziera ka nusen të huaj (13.661 martesa) dhe dhëndrin italian (3.845).

Përsa u përket shqiptarëve, edhe ata kanë më pak martesa se një vit më parë, e rënien e kanë pësuar qoftë ato që kanë njërin prej bashkëshortëve italian, qoftë ato mes shqiptarësh. Gjatë 2014-tës në Itali janë celebruar 1.295 martesa në të cilat të paktën një prej bashkëshortëve është shqiptar, në vitin 2013 numëroheshin 1.354 martesa. Ashtu si në 2013-tën, edhe gjatë vitit të shkuar pjesa më e madhe e martesave të shqiptarëve kanë dhëndrin italian. 722 shqiptare janë martuar vjet me një italian, kundrejt 316 bashkatdhetarëve që janë martuar me një italiane. Më të voglat në numër mbeten martesat e celebruara me të dy bashkëshortët shqiptarë, vetëm 257. Kjo është mëse e natyrshme: shpesh shqiptarët zgjedhin të martohen në vendlindje e bashkëshorti me rezidencë në Itali tërheq tjetrin me bashkim familjar.

Krahasuar me komunitetet e tjera, mund të thuhet që shqiptarët dallohen vetëm në martesat mes një italianeje dhe një të huaji duke u renditur të dytët pas marokenëve. Ndërsa përsa u përket çifteve të përziera të llojit nusja e huaj e dhëndri italian, edhe pse gjysma e nuseve janë të Evropës Lindore, nuk spikasin shqiptaret që renditen të gjashtat pas rumuneve, ukrainaseve, brazilianeve, ruseve, polakeve dhe moldaveve.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

“Pse Salvini?” dhe pyetje të tjera të imigrantëve për italianët

Marrëveshja e integrimit. Deri tani e kanë nënshkruar rreth 230 mijë të huaj