in

Ndahet nga jeta Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, imzot Rrok Mirdita

Imzot Rrok Mirdita

Imzot Rrok Mirdita, protagonist i historisë bashkëkohore të Kishës katolike në Shqipëri në periudhën e pas diktaturës komuniste

Tiranë, 7 dhjetor 2015 – Ka ndërruar jetë sot në moshën 76 vjeçare Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit. Ndodhej në qendrën spitalore Nënë Tereza prej disa ditësh për shkak të hemorragjisë cerebrale që e kish goditur e pavarësisht të gjitha përkujdesjeve dhe përpjekjeve nga stafi iNeurokirurgjisë, gjendja e tij ka ardhur duke u përkeqësuar derisa sot ka ndërruar jetë.

Rrok Mirdita ka lindur në Këllezen të Ulqinit (Mal i Zi), më 28 shtator 1939. Shkollën fillore dhe të mesme e ka ndjekur në vendlindje. Ka kryer Liceun Klasik dhe studimet filozofike dhe teologjike në Zagreb.

U shugurua meshtar më 4 korrik 1965 nga Arqipeshkvi i Tivarit, Aleksander Tokic. Deri në 1973 ka zhvilluar veprimtarinë e vet baritore ndër famullitë shqiptare të dioqezës së Tivarit. Në këtë vit dërgohet nga Arqipeshkvi i Tij në New York për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë në nevojat baritore pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx.

Në 1991 viziton Shqipërinë, që e kishte njohur përmes emigrantëve shqiptarë  të  ShBA-së dhe solidarizohet me plagët e këtij vendi të martirizuar. Më 24 prill 1993 shugurohet Ipeshkëv nga Papa Gjon pali i II, gjatë udhëtimit të tij apostolik  në Shqipëri, në Katedralen e Shkodrës, së bashku me tre klerikë të tjerë të mbijetuar nga regjimi komunist. Të njëjtën ditë bën hyrjen zyrtare në dioqezë së bashku me Atin e Shenjtë.

Në vitet 1994-2000 është president i Karitasit Shqiptar dhe angazhohet fuqishën në lehtësimin e vuajtjeve të shkatuara nga lufta e Kosovës. Më 29 mars 1999 i bën thirrje institucioneve të ndryshme Katolike të Europës për t’i ardhur në ndihmë popullsisë në nevojë të skajshme, thirrje së cilës i përgjigjen shumë prej tyre.

Në vitin 1996 zgjidhet Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe kryetar i parë i Shoqërisë Biblike Ndërkonfensionale në Shqipëri, shoqëri e sapo themeluar.

Në vitin 2000 Sovrani i Maltës i jep titullin Kapelan i Kryqit të Lartë ad honorem duke e vënë në kategorinë e mësuesit të madh.

Në vitin 2002 përfundon ndërtimin e Kishës Katedrale të Shën Palit Në Tiranë, duke i dhuruar bashkësisë katolike një pikë referimi për rritjen shpirtërore, gjë që do të lejë shenjë në zhvillimin shoqëror e shpirtëror të vendit.

Në janar të vitit 2005 Papa Gjon Pali i II e lartëson në rangun e Arqipeshkvit Metropolit dhe më 29 qershor të të njëjtit vit merr nga Papa Benedikti i XVI në Bazilikatën e Shën Pjetrit Platinium e Metropolit.

Kryetari i Bashkisë  së Tiranës i jep titullin Qytetar Nderi, duke vlerësuar ndihmesën e jashtakonshme të Arqipeshkvit për zhvillimin e harmonisë fetare, rilindjen e besimit në të gjithë vendin dhe maturinë me të cilën ka ndihmuar në kapërcimin e vështirësive politike. Po të njëjtin titull i jep edhe Kryetari i Bashkisë Rrëshen  për ndihmesën e shkëlqyer në ndërtimin e strukturave kishtare.

Pë rite me radhë, ka nxitur misionarët që të angazhohen në fushën e arsimit, atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve përmes hapjes së shkollave fillore ( fillore, e të mesme), azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qëndrave shëndetësore, dhe atyre për fëmijët e braktisur, si dhe një qendër për rekuperimin e të rinjve të prekur nga droga, dhe e gjithë kjo pa bërë diskriminime fetare e shoqërore.

Në vitin 2006 Presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu i ka akorduar Urdhrin Nënë Tereza me motivacionin: “për kontributin e dhënë në ndërtimin e institucioneve të Kishës Katolike në Shqipëri; për vëmedjen e veçantë të dialogut ndërfetar; për nagazhimin në themelimin einstitucioneve të ndihmës sociale dhe ndihmesës së njerëzve në kushte të pafavorshme”. Në vitin 2010 presidenti i Republikes, Bamir Topi i akordon Urdhrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Më 13 maj 2013 Akademia Ndërkombëtare Bonifaci VIII i akordon titullin Akademik Nderi.

Me vdekjen e Imzot Rrok Mirditës, largohet nga jeta edhe ipeshkvi i fundit i asaj hierarkie, prej katër ipeshkvijsh shqiptarë, emëruar dhe më 25 prill 1993 shuguruar nga Papa Shën Gjon Pali II në Shkodër, që shënoi rilindjen e Kishës katolike martire në Shqipëri e të shoqërisë demokratike.

Shtetësia italiane. Komunës i duhen 6 muaj për të organizuar betimin

Përshtatshmëria e strehimit. Hiqen super-taksat ndaj imigrantëve