Rregullat e reja për shtetësinë e bijve të imigrantëve do të kthehen në Komision pas festive të fundvitit. Raportuesja: “Të gatshëm të përmirësojmë tekstin”
Romë, 22 dhjetor 2015 – Duhet pritur viti i ardhshëm që reforma e shtetësisë për bijtë e imigrantëve të rinisë rrugëtimin e saj në parlament.
Shqyrtimi i ligjit të miratuar në tetor në Dhomën e Deputetëve po bën “ec e ndalo” në Senat. Fillimisht u ndal për t’i dhënë përparësinë ligjit të bilancit, tani shtyhet prapë diskutimi sepse ndërkaq erdhën, edhe për senatorët, festat e fundvitit.
Punimet në sallën e Senatit mbahen deri më 23 dhjetor, por Komisioni i Çështjeve Kushtetuese, që po shqyrton reformën, sot vendosi “të rinisë diskutimin e përgjithshëm mbi projektligjin 2092 dhe çështje të lidhura me të (dispozita mbi shtetësinë) në mbledhjen e thirrur për në orën 11 të të martës 12 janar 2016”.
Ka shumë mundësi që ajo të jetë edhe mbledhja e parë e vitit dhe fakti që rregullat e reja për t’u bërë italianë janë e para pikë e rendit të ditës (e deri tani edhe e vetmja) është sinjal i mirë. Në janar duhet të përfundojë diskutimi i përgjithshëm e do të nisë edhe “beteja” e vërtetë, ajo që luftohet me amendamente.
Nga ai pak diskutim që u bë deri tani, në Senat duket qartë se Lega dhe Forza Italia duan t’i bëjnë gropën reformës. Në komision e provuan me dy çështje paragjykuese e po justifikohen me alarmin e terrorizmit dhe shtimin e flukseve migratore. Ndërsa mazhoranca duket e gatshme për ndonjë përmirësim të vogël, veçanërisht për sa i përket kriterit të kartës së qëndrimit të prindërve që do t’u jepte të drejtën e shtetësisë bijve.
“Në komision deri tani kanë dalë në dritë mbyllje të paarsyeshme ose të motivuara nga argumente të pabaza. Por nga ana tjetër, u vërejt edhe një gatishmëri për përmirësime” konfirmoi të premten në mëngjes raportuesja Doris Lo Moro në nhë kuvend mbi reformën.
“Elementet e rëndësishme të reformës siç u votuan në Dhomën e Deputetëve nuk mund të vihen në rrezik” sqaroi senatorja, “ unë jam për ruajtjen e asaj çka kemi arritur dhe për ta përmirësuar tekstin nëse janë kushtet”.
Nuk na mbetet veçse të presim vitin e ri për të parë si do të shkojë reforma.
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)