in

Italia e gatshme të rifusë kontrollet në kufi me Slloveninë

Plani i jashtëzakonshëm i ministrisë së Brendshme italiane përballë intensifikimit të mbërritjeve nga kufijtë tokësorë. Forti (Karitas): “Kështu rrezikojmë të shtyjmë më shumë persona në detin Mesdhe”

Romë, 7 janar 2016 – Italia si Suedia dhe Danimarka. Kontrolle në kufijtë e brendshëm për të ndaluar fluksin e refugjatëve dhe migrantëve.

Është mundësia që po shqyrton tashmë qeveria për t’i bërë ballë rritjes së hyrjeve nga kufiri me Slloveninë. Tashmë mbërrijnë rreth 300-400 në javë e shifra mund të rritet me intensifikimin e krizës në Lindjen e Mesme dhe mbylljen e kufijve nga Vendet e Evropës Veriore.

Sipas Corriere della Sera, Drejtoria e Imigracionit dhe e Policisë së Kufirit të ministrisë së Brendshme i ka dorëzuar ministrit Alfano një plan për rivendosjen e kontrolleve mes Friuli Venezia Giulias dhe Sllovenisë. Duhet të jetë për pikat kufitare tokësore dhe hekurudhore, por jo për ato të aeroporteve.

“Një masë e jashtëzakonshme – shpjeguan për Corriere burime të ministrisë – por që do të vihet në jetë nëse do të shtohen hyrjet e mbi të gjitha nëse do të vazhdojë të mungojë fryma e bashkëpunimit që ishte premtuar gjatë verës së shkuar”.

Me pak fjalë Italia reagon në këtë mënyrë ndaj lëvizjeve të partnerëve të saj evropianë (edhe Franca, pas atentateve të Parisit,  pezulloi Shengenin) dhe dështimit, deri tani të planit të rishpërndarjes së refugjatëve në Vende të tjera të BE-së. Kjo ndërsa Italia është nën procedurën e shkeljes për mosidentifikimin e atyre që vijnë nga deti.

“Nëse edhe Italia rivendos kontrollet në kufi, do të futet në një qark që e dimë se nuk të çon larg” vë në dukje Oliviero Forti, përgjegjës imigracioni i Karitasit, i intervistuar nga Redattore Sociale, “Kjo do të thotë se do të shkarkojë në vendin më të afërt apo më në jug një problem epokal, që uk do të zgjidhet me mbylljen e kufijve. Mungesa e një plani mbarevropian shtyn Vende të ndryshme të mbyllen”.

“Frika jonë është që migrantët, të cilët natyrisht nuk do të shkurajohen nga një kufi i mbyllur, do të detyrohen të braktisin rrugën ballkanike, më të sigurtë, për t’i hyrë asaj të Mesdheut, që e dimë mirë se është më e rrezikshme. – ngre zërin Forti – rreziku është që rruga e vetme e hyrjes në Evropë të mbetet ajo ku verifikohet edhe numri më i lartë i të vdekurve”.

Lexo edhe: Kontrolle në kufi në Suedi e Danimarkë, “Shengeni është në rrezik”

 

Neritan Ceka nuk do të jetë më ambasador i Shqipërisë në Romë

Çeku social 2016. Nevojiten të paktën 5.825 € për të qëndruar në Itali