in

Marrëveshja e integrimit. E kanë nënshkruar rreth 240 mijë të huaj në Itali

Mëse një e pesta e firmave në Romë e Milano. Në fuqi prej vitit 2012, është pakti mes imigrantëve dhe Italisë

 

Romë, 8 janar 2016 – Të mësosh italishten e edukatën qytetare, të çosh fëmijët në shkollë, të mos shkelësh ligjin. Rregulla të thjeshta për të jetuar mirë në Itali.

Për 237.017 të huaj këto rregulla janë kthyer në angazhime për të cilat u është dashur të nënshkruajnë një kontratë me shtetin italian. Në fakt rregulllat e sipërpërmendura përbëjnë thelbin e Marrëveshjes së Integrimit që nga viti 2012 duhet të nënshkruajnë të gjithë të huajt që mbërrijnë në Itali. Një sistem i ri që ka sjellë edhe të ashtuquajturën leje qëndrimi “me pikë”, me shtim kreditesh për çdo objektiv të arritur e shkurtime për çdo hap të gabuar.

Të gjithë e nisin me 16 pikë dhe kanë për qëllim të mbledhin të paktën 30. Pas dy vjetëve nga nënshkrimi i marrëveshjes, parashikohet një verifikim (edhe me një testim të italishtes dhe edukatës qytetare) dhe nëse është e nevojshme jepet edhe një vit shtesë nëse objektivi i 30 pikëve nuk është arritur.

Sipas një tabele të botuar pak ditë më parë nga ministria e Brendshme, deri më 28 dhjetor 2015 mes shtetit dhe imigrantëve janë lidhur 237.017 marrëveshje. Pjesa më e madhe në Romë (26.936, 11,56% e të gjitha marrëveshjeve) dhe në Milano (25.017, 10,74%). Ndjekin Torino (9.399, 4,03%), Napoli (8.580, 3,68%), Firence (7.268, 3,12%), Bergamo (7.036, 3,02%) e Brescia (6.619, 2,84%).

Ministria nuk jep asnjë të dhënë mbi shtetësinë e të huajve, ndaj nuk është e mundur të dimë sa prej mëse 237 mijë marrëveshjeve të integrimit janë nënshkruar nga shqiptarë.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Çeku social 2016. Nevojiten të paktën 5.825 € për të qëndruar në Itali

Loja me zarar e paragjykimit