Ishte një herë një italian, një rumun e një shqiptar…
Nga Rando Devole
Ishte një herë një italian, një rumun e një shqiptar. Zakonisht, në Shqipëri, kështu fillonin barsoletat. Për fat ironik, pothuajse të njëjtin konstrukt, e gjen në lajmin e një gazete italiane.
Edhe pse në kronikë të zezë, edhe pse në gazetë dytësore, edhe pse në nivel lokal, artikulli duhet të merret në konsideratë për mendësinë që evokon me impostimin e tij.
Është fjala për shkrimin “Sefezo: hajdut shqiptar vjedh në shtëpinë e fqinjit italian, një rumun e bllokon” (Il cittadino, 31 dhjetor 2015).
Shkrimi nuk do të na e kishte tërhequr vëmendjen, sikur të mos vërehej një referim përgjithësimi, që synon ta fusë ngjarjen në shtigjet e imagjinarit kolektiv, plot me paragjykime etnike jo krejt të pafajshme.
Ja çfarë thotë lajmi në paragrafin e dytë:
Një italian, një shqiptar e një rumun, kush është viktima, kush është vjedhësi dhe kush e bllokoi hajdutin e specializuar të apartamenteve? Shumica e italianëve, automatikisht do t’ua veshnin aspektet negative të huajve, por kësaj radhe do ta kishin gabim. Në fakt, ishte vetëm falë një rumuni, që pensionisti italian evitoi ta gjente të zbrazët nga ana e një shqiptari. Rumuni e bllokoi hajdutin e apartamentit në korridorin e pallatit dhe nuk e lëshoi as kur kopuku reagoi me shkelma e grushte. E menjëhershme ndërhyrja e karabinierëve të kompanisë në Seregno dhe arrestimi i autorit, që tani duhet të përgjigjet për veprën penale të dyfishtë, grabitjen dhe kanosjen.
Në këtë shkrim nuk përmenden emra të përveçëm, as iniciale, siç bëhet zakonisht, por flitet me përgjithësime të llojit rumuni, shqiptari, italiani. Për lajmin nuk po shprehemi, fundja bëhet fjalë për një lajm të rëndomtë të kronikës së zezë, sikurse ka me dhjetëra në ditë.
Problemi qëndron pikërisht në orvatjen që bën gazetari për ta kaluar lajmin në fushën e psikologjisë kolektive; një lojë që nuk i del mirë, sepse skemat nuk përputhen. Nga një anë thuhet se për vjedhjen e banesës, shumica e italianëve do t’i bënin gabimisht me faj të huajt, nga ana tjetër del se keqbërësi ishte shqiptar, pra i huaj.
Kush e njeh realitetin e mediave italiane e di fare mirë se vitet e fundit është krijuar një imazh shumë negativ për rumunët, që për disa aspekte kanë zënë vendin e shqiptarëve të djeshëm. Ky paragjykim vijon të jetë shumë i fortë në opinionin publik, ndaj nuk mund të përjashtojmë ndërlikime interpretative në mendjen e lexuesit. Pa përmendur implikimet me imazhin e nyjëtuar të shqiptarëve në media.
Në fakt, një rumun që bllokon hajdutin, sipas kanonit të paragjykimit absurd mediatik, do të ishte respektimi i modelit të kritereve të lajmit, atë të njeriut që kafshon qenin. Deri këtu jemi brenda ligjeve gravitacionale të mediave sensacionale. Sikurse kemi shqiptarin e mirë, ashtu kemi edhe rumunin e mirë. Koncepti është i njëjtë. Veçse hajduti i arrestuar është një i huaj tjetër, po aq sa edhe qytetari i ndershëm, vetëm se ka ngjyrë të ndryshme në pasaportë.
Në të gjithë këtë rrëmujë, pika e vetme e palëvizshme është viktima. Madje perfekte në këtë rast: i moshuar, pensionist, italian.
Rrëfimet me viktima, keqbërës dhe heronj bëjnë pjesë në narrativat e të gjitha kohërave. Si të thuash, janë strukturore në jetën e njeriut, por ndoshta më pak në atë të mediave, të paktën teorikisht, që duhet ta përshkruajnë realitetin pa ngjyrime subjektive e letrare, madje përtej skemave narrative.
Me fjalë të tjera, shkrimi do të kishte qenë fare normal sikur të mos ishin përmendur prejardhjet e “protagonistëve” të lajmit e stereotipat e shoqërisë. Në këtë rast, ndoshta kemi të bëjmë thjesht me zell të tepërt stilistikor, një tentativë naive për ta bërë lajmin sa më tërheqës.
Të luash me paragjykimet është interesante, por është lojë me zarar kur nuk ia njeh rregullat e pasojat. Megjithatë, kjo nuk na pengon për ta përshëndetur veprimin e lavdërueshëm të qytetarit, i cili bllokoi me guxim hajdutin e apartamentit të një burri të moshuar.
Botuar në blogun Peizazhe të Fjalës