Nga data 15 dhjetor, shqiptarët mund të lëvizin të lirë në Shengen, por duke respektuar disa rregulla.
Para së gjithash, duhet të jenë të pajisur me pasaportë biometrike, dhe për të ndenjur në zonën Shengen vetëm për maksimumi 90 ditë në gjashtë muaj, për qëllime biznesi, për kurse studimi të shkurtra apo për turizëm. Por në kufi bashkë me pasaportën mund t’u kërkohen edhe të tjera gjëra si një sigurim mbi shëndetin mbi të gjithë periudhën e udhëtimit, bileta e kthimit, prenotimi i hotelit ku do të qëndrohet apo adresa e të afërmit ku do të qëndrohet.
Në cilat Shtete mund të udhëtoj pa viza?
Rregullat e reja zbatohen në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian përveç Britanisë së Madhe dhe Irlandës. Qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza edhe në Islandë, Norvegji e Zvicër.
Vendet anëtare të zonës Shengen, praktikisht janë: Austri, Finlandë, Letoni, Portugali, Belgjikë, Francë, Lituani, Rumani, Bullgari, Gjermani, Luksemburg, Sllovaki, Qipro, Greqi, Maltë, Slloveni, Republlika Çeke, Hungari, Holandë, Spanjë, Danimarkë, Islandë, Norvegji, Suedi, Estoni, Itali, Poloni, Zvicër.
Po në Britaninë e Madhe dhe Irlandë?
Britania e Madhe dhe Irlanda nuk janë pjesë e zonës Shengen, për rrjedhoje rregullat e reja nuk aplikohen në këto shtete. Për informimin mbi kërkesat e hyrjes në këto dy shtete, qytetarët shqiptarë duhet të kontaktojnë Seksionin e Vizave në Ambasadën e Britanisë së Madhe në Tiranë dhe në Ambasadën e Irlandës në Greqi.
Si mund të pajisem me pasaportë biometrike, nëse ende nuk e kam një të tillë?
“Aplikoni pranë zyrave të Gjendjes Civile në Njësitë e Qeverisjes Vendore, të Komunave dhe Bashkive” thuhet në sitin e ministrisë, pasi ende sot nuk është hapur asnjë zyrë aplikimi për pasaportat biometrike pranë ambasadave. As në Greqi e as në Itali
A mund të udhëtoj akoma me pasaportën time të vjetër jo-biometrike?
Pasaporta e vjetër jo-biometrike nuk vlen për lëvizjen e lirë pa viza. Ju nuk do të mund të udhëtoni dot me këtë pasaporte, nëse në të nuk keni vizë Shengen. Por me lejen e qëndrimit italian, për shembull, dhe me pasaportën e vjetër mund të udhëtoni në Shengen pasi këtë të drejtë jua jep leja e qëndrimit.
Sipas rregullave të reja, sa kohë mund të qëndroj në zonën Shengen?
Sipas rregullave të reja, qytetarët shqiptarë me pasaporte biometrike mund të qëndrojnë në zonën Shengen maksimumi 90 ditë , që nga dita e hyrjes brenda një periudhe kohore prej gjashtë muajsh (180 ditë). Periudha fillon që nga momenti kur ju hyni për here të parë në këtë zonë, brenda periudhës gjashtë mujore. Për shembull, nëse më datë 1 janar ju hyni për herë të parë në zonën Shengen, periudha e ardhshme gjashtë mujore fillon në datën 1 korrik. Nëse udhëtoni shpesh në zonën Shengen, është përgjegjësia juaj të numëroni ditët e mbetura nga periudha gjashtë mujore.
Pra, ju mund të bëni disa udhëtime afatshkurtra, me kusht që kohëzgjatja e tyre të mos kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtë mujore (180 ditë).
A mund të punoj dhe të jetoj në shtetet e zonës Shengen sipas rregullave të reja?
Rregullat e reja aplikohen vetëm për qëllime udhëtimi. Ato nuk u sigurojnë qytetarëve shqiptarë të drejtën për të jetuar më shumë se 3 muaj dhe as të drejtën për t’u punësuar në këto shtete. Nëse keni ndërmend të punësoheni apo të studioni për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikoni për vizë afatgjatë në ambasadën apo konsullatën e shtetit ku do të shkoni. Është e ndaluar të punoni në zonën Shengen pa leje pune apo të jetoni aty pa lejen përkatëse të qëndrimit.
Cilat janë kërkesat e tjera për të hyrë në këto shtete përveç pasaportës biometrike dhe biletës së udhëtimit?
Deklarimi i qëllimit të udhëtimit si dhe paraqitja, para punonjësit të kontrollit kufitar e dokumenteve që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit.
* Kur deklaron në kufi se po udhëton për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, shtetas apo rezident në atë vend etj., duhet të paraqitet një rezervim hoteli dhe bileta e kthimit, nëse udhëtohet me avion ose mjete të transportit ujor.
* Kur deklaron se udhëton për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin, për të cilin personi është ftuar.
* Kur deklaron se udhëton për arsye shëndetësore, paraqitet konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet apo rekomandimi nga institucioni shëndetësor shqiptar (rastet e kryerjes së analizave etj.).
* Kur deklaron se udhëton për vizitë tek një i afërm, duhet të jepet informacion mbi të dhënat e personit pritës, adresa e tij, telefoni, etj.
* Në të gjitha rastet, shtetasi duhet të ketë sigurimin shëndetësor (që të mbulojë udhëtimin dhe periudhën e qëndrimit) dhe nëse udhëtohet me makinë, dokumentacionin e nevojshëm të makinës (leje ndërkombëtare drejtimi automjeti dhe kartoni i gjelbër i sigurimit ndërkombëtar të makinës).
* Nëse udhëtoni drejt zonës Shengen me automjet duhet te pajiseni me patente ndërkombëtare drejtimi dhe me kartonin jeshil të siguracionit ndërkombëtar të makinave.
Cilat janë mjetet e jetesës gjatë qëndrimit në zonën Shengen?
Shtetasi duhet të ketë mjete të mjaftueshme të jetesës, si për periudhën e qëndrimit të synuar edhe për kthimin në vendin e prejardhjes ose tranzitin në një shtet të tretë në të cilin ai është i sigurt se do të pranohet, apo është në gjendje të përfitojë mjete të tilla në mënyrë të ligjshme. Vende të ndryshme kanë shuma të ndryshme, por mesatarisht është 50 euro në ditë. Për të parë shumat e sakta të nevojshme për të qëndruar në Itali mund të konsultoni këtë tabelë të ministrisë së Jashtme italiane.
E nëse jam dëbuar nga Italia?
Të ndalohet hyrja për 5 vjet jo vetëm në Itali por në të gjithë zonën Shengen. Edhe me liberalizimin e vizave, çdo person që kapet duke hyrë apo duke qëndruar në mënyrë të paligjshme në njërin nga vendet e Shengenit do të kthehet menjëherë në Shqipëri dhe nga autoritetet e këtij vendi do t’i ndalohet hyrja në të gjitha vendet Shengen deri për 5 vjet. Ky është një standard që zbatohet sot për të gjithë dhe në të gjitha vendet e BE-së.