Emigrantë pa dokumente qëndrimi të punësuar edhe nga persona që nuk jetojnë më. Zbulimi është bërë nga karabinierët e Komandës provinciale të Astit të cilët zbuluan një rrjet të gjerë që kryente punësime të rreme emigrantësh jokomunitarë.
Agjencia e lajmeve Italpress bën të ditur se operacioni çoi në paditjen e 163 personave (112 italianë dhe 51 të huaj) të cilët nëpërmjet deklaratave të rreme për derdhjen e kontributeve, rrogave të falsifikuara dhe punësimeve të pavërteta, kanë favorizuar pajisjen me dokumente qëndrimi të 209 emigrantëve të paligjshëm.
Për hetimet janë shqyrtuar qindra kërkesa punësimi të paraqitura nëpërmjet Internetit për të përfituar nga norma e vitit 2009 që lejonte pajisjen me dokumente të emigrantëve ilegalë, me kusht që të kishin një vend pune. Deklaratat kishin të bënin me punësimin nga ana e familjeve të bashkëpunëtorëve shtëpiakë e kujdestarëve. Në pjesën më të madhe të rasteve ishin punësime të rreme të vërtetuara me borderò të falsifikuara dhe me derdhje kontributesh të pavërteta, të bëra në emër të punëdhënësve që nuk dinin gjë ose në emër të personave që nuk jetojnë më.
Emigrantët (112 marokenë, 31 shqiptarë, 20 senegalezë, 15 kinezë, 10 egjiptianë e nigerianë, moldavë, indianë, boshnjakë, tunizianë, maqedonas, peruanë, kolumbianë, kroatë, ukrainas dhe algjerianë) ishin të detyruar të paguanin deri 4 mijë euro për paraqitjen e kërkesës, me shpresë për të marrë lejeqëndrimin e shumëdëshiruar.