Shoqatat informojnë
Pasditen e 28 shkurtit, në qytetin bregdetar të Riminit, Presidenti i Federatës Nacionale të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI), Ndue Lazri, zhvilloi një takim me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë Stefan Çipa. Presidenti i FNAI-t shoqërohej nga kryetari i komisionit të organizimit Klodian Cami dhe anëtari i komisionit të revizionit e financës, Haki Maze. Në takim ndodhej edhe kryetari i shoqatës ”Agimi” në Rimini, Edmond Kumaraku.
Në fjalën e tij Lazri përshëndeti hapat e parë që po bën pas 25 vjetësh demokraci qeveria shqiptare për të treguar një interes për diasporën dhe problemet e emigracionit. Ai foli për aktivitetin e gjerë të federatës dhe shoqatave në përbërje të saj në drejtim të ruajtjes së traditave e kulturës, për bashkimin e emigrantëve dhe ngritjen e zërit për zgjidhjen e problemeve të tyre, për punën mbi baza vullnetare në funksionimin e shkollave shqipe për fëmijët e emigrantëve në Itali etj.
Ai theksoi se dikasteri i diasporës duhet të ketë një politikë me program të qartë për njohjen e problemeve e shqetësimeve të emigrantëve dhe të bëjë përpjekje konkrete për zgjidhjen e tyre, që politikanët shqiptarë të mos kujtohen për diasporën e emigrantët veç kur vijnë fushata elektorale e partitë kanë nevojë për vota, por të punojnë për miratimin e ligjeve konkrete për procesin e votimeve në diasporë, për marrëveshjet me qeveritë përkatëse për problemet e pensioneve etj.
Lazri nënvizoi që është e domosdoshme edhe hapja e një konsullate të re shqiptare në një nga rajonet e qendrës së Italisë për të lehtësuar kontaktet e emigrantëve me konsullatat shqiptare për problemet që u dalin, si dhe për liberalizimin e mëtejshëm në futjen e shoqërive ajrore loë cost në transportin e udhëtarëve emigrantë nga shtetet ku ata punojnë e jetojnë në drejtim të Atdheut e anasjelltas, duke vënë në dukje që kjo do favorizonte jo vetëm lehtësimin e lëvizjes së emigrantëve por edhe zhvillimet ekonomike të vendit.
Duke u ndalur në ligjin për regjistrimin e popullsisë, presidenti i Federatës theksoi që në formën siç është shkruar ligji nuk është transparent dhe tingëllon si një parapërgatitje për një taksim të dyfishtë të emigrantëve. Ndaj edhe në rrjetet sociale në internet ka patur reagime kundërshtuese e plot vërejtje nga emigrantët.
Nga ana e tij Çipa i vlerësoi problemet e shtruara në takim, foli për hapa që po bën qeveria shqiptare për të patur kontakte të vazhdueshme e më të shpeshta me diasporën, për dëgjimin e zërit të shoqatave e të federatave të emigrantëve, për hartimin e ligjeve që vijnë në ndihmë të zgjidhjes së problemeve që parashtrojnë emigrantët etj. Ai bëri sqarime edhe lidhur me ligjin mbi regjistrimin e popullsisë, i cili është në përmirësim të mëtejshëm, që të jetë një ndihmë në pajisjen e emigrantëve me dokumente që u nevojiten, pa u sorollatur zyrave, ndihmë në procesin e votimeve në diasporë, problemin e pensioneve etj.
Ai theksoi që jemi ende në hapat e parë, por procesi i bashkëpunimit me diasporën dhe federatat e emigrantëve do të jetë i vazhdueshëm.
N.L. – Rimini
Lexo edhe: Ligji për regjistrimin e emigrantëve, ja çfarë thotë (Teksti i plotë)