Rrugët e Athinës dhe veçanërisht porti është mbushur plot me refugjatë, që mbërrijnë çdo ditë nga Turqia. Solidariteti me refugjatet në Greqi është i dukshëm, edhe nga emigrantët
Në një nga kampet e improvizuara, mes vullnetarëve, edhe pjesëtarët e familjes Sulollari, familje emigrantësh, që çdo ditë përgatisin ushqime në shtëpi dhe u ofrojnë një vakt të ngrohtë deri edhe 150 refugjatëve. Bashkë me gjyshen e saj, Arjana Sulollari, fëmijë nga martesa e një shqiptari me një emigrante nga Ukraina, thotë se, së bashku me gjyshen dhe babanë e saj ndihmojnë emigrantët me ushqim.
“Ne vijmë e u sjellim për të ngrënë emigrantëve. Ata na thonë faleminderit në anglisht. Ndihem mirë, është mirë të ndihmosh njerëzit në nevojë”, thotë Arjana.
Xhevahir Sulollari, emigrant në Athinë në të shumtën e kohës është i papunë, por pavarësisht kësaj, me të ardhurat e tij blen ushqime për refugjatët.
“Vijmë këtu çdo ditë në mbrëmje, pasi i kemi bërë gati në shtëpi. I shpërndajmë pasi mblidhen njerëzit dhe këtë e bëj, sepse kam vuajtur edhe vet në fillim. E di ç’do të thotë të jesh pa ngrënë dhe sidomos me fëmijë të vegjël”, thotë Xhevair Sulollari, emigrant në Greqi.
Qeveria greke po bën gati edhe disa kampe, por vendi i tij – thotë kryeministri Tsipras, – nuk mban më shumë se 70 mijë refugjatë. Emigrantët që qëndrojnë rrugëve kanë shpresë vetëm të ikin në Gjermani. “Duam të ikim në Gjermani. Kemi 3 ditë këtu dhe na kanë thënë të presim. Unë kam një problem dhe dua të iki në Gjermani. Këtu na ndihmojnë, por ne duam të hapen kufijtë. Na sjellin pak ujë, pak kafe dhe pak ushqim”, është shprehur një emigrant.
Top Channel