in

Arrestohet sërish biznesmeni Kajolli. Italia kërkon njohjen e vendimeve të gjykatave të saj

Edhe pse në Itali është dënuar me 40 vjet burg, katër vjet më parë drejtësia shqiptare nuk pranoi ta ekstradonte. Dje, me kërkesë të drejtësisë italiane, për njohjen e vendimeve të gjykatave të saj, është arrestuar sërish

Fatmir KajolliTiranë, 9 mars 2016 – Katër vjet më parë i shpëtoi ekstradimit, por tani drejtësia shqiptare e ka futur në burg. Është fjala për Fatmir Kajollin, 51 vjeçari biznesmen i njohur në Fier i dënuar në Romë (në vitin 2000) dhe Milano (në vitin 2001) me gjithsej 40 vjet burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Për këto dënime nga drejtësia italiane, Kajolli u arrestua njëherë në prill 2012 në Shqipëri, por gjykata e Shkallës së Parë të Fierit refuzoi kërkesën për ekstradim.

Një javë më vonë, gjykata e apelit të Vlorës iu përmbajt vendimit të gjykatës së Fierit. Kështu Kajolli u la i lirë e vazhdoi aktivitetin e tij. Asokohe vendimet e gjykatave bënë bujë të madhe dhe u përfol për ndikimin e madh të biznesmenit e politikanit (disa mandate si anëtar i këshillit Bashkiak të qytetit të Fierit në dy mandate, i zgjedhur nga Partia Republikane) në organet e drejtësisë.

Dje është arrestuar sërish sepse, siç ka sqaruar zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme Albi Serjani, “nga Italia është kërkuar njohja e vendimeve të masës së dënimit të dhënë nga Gjykatat Italiane. Kjo kërkesë është paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë dhe më pas prokuroria i kërkoi gjykatës së Fierit njohjen e vendimit penal, kërkesë kjo që do t’i nënshtrohet procedurave gjyqësore”.

Nëse në vitin 2012 ai u la për ca ditë në arrest shtëpie, këtë radhë është futur në burg. “Duke qenë se vepra dhe dënimi për të cilën ky shtetas akuzohet janë të rënda, prokuroria vlerësoi se gjyqi për njohje vendimi të zhvillohet me masë sigurimi arrest me burg” ka sqaruar akoma Serjani.

Mbi të njëjtën temë:
Arrestohet Kajolli, biznesmen e anëtar i këshillit bashkiak të Fierit, i kërkuar nga drejtësia italiane (prill 2012)
Policia apo prokuroria e la të lirë Fatmir Kajollin?  (prill 2012)
Italia çon dosjen e Kajollit dhe kërkon ekstradimin (maj 2012)
Fatmir Kajolli i dënuar me 40 vjet burg në Itali nuk ekstradohet nga Shqipëria (qershor 2012)
Apeli refuzon ekstradimin e Kajollit në Itali ku është dënuar me 40 vjet burg (qershor 2012)

 

 

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në 
Facebook dhe Twitter)

 

Taksa mbi lejeqëndrimet. “Tepër e shtrenjtë, qeveria duhet ta ulë”

Taksa e paligjshme mbi lejeqëndrimin. Sa është e kush e paguan