in

Me cilën pasaportë gjen më shumë kufij hapur?

Ka shtetësi të forta e shtetësi të dobëta, pasaporta të fuqishme e nga ato që nuk vlejnë shumë jashtë kufijve të vendit që i lëshon. Me pasaportën e tyre, italianët hyjnë pa vizë në 175 shtete, shqiptarët në 98, kosovarët vetëm në 38.
Visa Restrictions Index 2016 tregon cilat janë pasaportat më të fuqishme për të cilat shumë prej kufijve janë gjithnjë hapur dhe ato më të dobëtat që kanë shumicën mbyllur

Romë, 15 mars 2016 – Pasaportat nuk janë të gjitha njësoj. Një i ri berlinez që dëshiron të bëjë një udhëtim, mjafton të bëjë gati valixhen, të fusë pasaportën në xhep e të zgjedhë mes 177 vendeve ku mund të hyjë lirisht pa pasur nevojë për vizë. Krejt tjetër histori për një bashkëmoshatar të tij në Kabul, për shembull, që mund të shkojë vetëm në 25 vende të botës, për të tjerat duhet të kërkojë vizë, pa pasur shumë shance t’ia japin.

Shtetësia gjermane dhe ajo afgane janë skajet e Visa Restrictions Index 2016, një renditje e përpiluar nga Henley & Partners, shoqëri shumëkombëshe e specializuar në “residence and citizenship planning”, që për ta kuptuar të gjithë, është ajo që për llogari të qeverisë së Maltës po administron shitjen e shtetësisë malteze (pra të BE-së) investuesve të huaj të fuqishëm për të cilët 650 mijë euro nuk janë kushedi se çfarë.

Në podiumin e shtetësive “më të fuqishme” mbizotëron ajo e bashkatdhetarëve të Angela Merkelit, në vend të dytë renditet Norvegjia (shtetasit e saj hyjnë pa vizë në 176 vende të botës) e në vend të tretë Italia, shtetasit e të cilës, përfshirë edhe rreth dhjetëra mijëra shqiptarët që kanë pasaportën italiane në xhep), ashtu si ata të Francës, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Finlandës, nuk kanë nevojë për vizë për të vizituar një nga 175 vende të tjera të botës.

Mes shtetësive të “dobëta” para Afganistanit që mbyll renditjen, gjejmë vende të drobitura nga luftërat e regjimet diktatoriale Pakistan (29), Irak (30), Somali (31), Siri (32),  Libi (36) dhe Eritrea, Etiopi, Iran, Nepal, Palestinë, Sudan, shtetasit e të cilave mund të shkojnë lirisht në vetëm 37 vende.

Menjëherë mbi këto vende, i fundit në Rajon dhe në Evropë për fuqinë e pasaportës së saj, renditet Kosova. Në fakt, kosovarët mund të shkojnë pa vizë vetëm në 38 vende të botës.

E qytetarët e Shqipërisë? Kanë zgjedhje udhëtimi më të madhe se kosovarët, por gjithsesi mbeten të parafundit në rajon. Me pasaportën biometrike, shqiptari shkon pa vizë në 98 vende të botës. Por duke konsideruar emigracionin e lartë, mund të thuhet pa frikë se dhjetëra mijëra shqiptarët që kanë marrë shtetësinë e Gjermanisë, Italisë, Francës, Anglisë, ShBA-së, Austrisë, Greqisë etj. kanë edhe dhjetëra shtete të tjera ku mund të shkojnë pa vizë.

 

Rimini. Vrau dy persona, burgim i përjetshëm për Dritan Demirajn

Shtetësia italiane. 10 vjetët e rezidencës duhet të jenë në të njëjtën komunë?