Veç sipërmarrjeve në shëndetësi, po shtrin aktivitetin e tij në Itali edhe në sport. Gjithnjë e më të fortë zërat rreth blerjes prej tij të klubit të futbollit të Livornos
Romë, 21 mars 2016 – Prej dy muajsh mediat italiane flasin për një interesim të sipërmarrësit shqiptar Irfan Hysenbelliu për klubin e futbollit të Livornos. Së fundi, Gazzetta dello Sport flet për mbylljen e negociatave për kalimin e shoqërisë sipërmarrësit shqiptar që veç sipërmarrjeve në ndërtim e media në Shqipëri, njihet si pronar i 15 klinikave shëndetësore në Itali e një nga Francë. Por arritja e marrëveshjes përgënjeshtrohet nga të interesuarit. Për një motiv të thjeshtë, shkruajnë mediat italiane: Hysenbelliu blen Livornon vetëm nëse kjo mbetet në kategorinë B, në të kundërt marrëveshja bie.
Në botën e futbollit, Irfan Hysenbelliu duket se po hyn me këmbënguljen e të birit, Fatmiri, 24 vjeç, tashmë futbollist në radhët e Dinamos së Tiranës, që në të shkuarën ka luajtur edhe me Barin.
Regjisor i negociatave mes Hysenbelliut dhe Aldo Spinellit, pronar i klubit të futbollit toskan, është miku i tyre i përbashkët, Luciano Moggi, që së fundi duket se ka drekuar me sipërmarrësin shqiptar në Paris e sipas mediave italiane, kanë diskutuar pikërisht detaje mbi shitblerjen e klubit.