in

Brukseli, një ditë më pas

Nga Aurora ALLUSHAJ
Bruksel, 23 mars 2016

Në fillim frikë, tmerr! Ajo re e zezë që u ngrit në qytet dukej sikur na kishte mbërthyer fytin. E më tej lotë që nuk dilnin, bllokim total.

Ideja se vetëm një natë më parë isha në aeroportin e Brukselit ende më torturon. Ditën më pas më duhej të merrja atë metro, siç më ka takuar ta marr gjithmonë në orët e pikut për të shkuar dhe kthyer nga universiteti.

Pa menduar thashë: Shyqyr Zotit! Mendim egoist!

Në momentet në vazhdim kujtoj vetëm telefonin dhe rrietet sociale që buçitnin. Nga Shqipëria më kërkonin të raportoja, të gjeja fjalët e duhura për të rrëfyer ato momente tmerri. Nuk di si dhe ku e gjeta forcën, nisa të informohem dhe të informoj.

Kështu nisi dita e martë në Bruksel me 31 persona të cilët humbën jetën dhe 270 të tjerë të cilët mbetën të plagosur. Nuk dua të jap opinionin tim përse ndodhi, përse kur Brukseli kishte kohë që e priste. Deklaratë e bërë vetëm pak orë më vonë nga kryeministri belg.

Ndërkohë që sot, një ditë më pas duket sikur qyteti ka nisur të hedhë hapat e parë të një jete të re. Njerëzit komentojnë, ka nga ata që flasin për politikë, të tjerë për religjion, por ka nga ata që e komentojnë situatën e krijuar si një dështim jo vetëm të Belgjikës, por edhe me tej, të Europës së bashkuar. Të gjithë duan të kuptojnë përse ndodhi, në fund të fundit ne njerëzit jemi bërë të tillë. E në këtë rast mundohemi të kuptojmë edhe për tu ruajtur në rast se do ketë ngjarje të tilla.

Mediat që prej së martës gëlojnë me informacione që herë pas here rindërtohen e mbushen me të dhëna të reja. Por edhe pse vazhdojnë të flasin, të japin informacione të reja duket sikur nuk arrijnë të shkojnë deri në fund, të prekin të vërtetën, atë që në këto momente të gjithë kemi nevojë. Qytetit përveçse të ftohtit dhe grisë që e karakterizon i janë shtuar forcat e shumta të policisë në zonat më të populluara, forcat ushtarake dhe gazetarët e ardhur nga e gjithë bota.

E ndërkohë që unë raportoj për mediat shqiptare, vërej se mediat e shteteve të tjera e gjunjëzojnë Brukselin.

Por nëse e mendojmë, terrorizmi nuk është një new entry, ai ekziston prej kohësh nga Brigate Rosse, IRA tek Al Qaeda. Por së fundmi duket sikur bota është në luftë, gjuha e përdorur në media dhe rrjete sociale e ushqen çdo ditë frikën nga terrorizmi. Fjalët ‘mbrojtje’, sigurim dhe konflikt duket sikur janë pjesë e çdo sekonde të jetës sonë.

Brukseli në këto dy ditë po tregon se forca gjithmonë fiton, edhe në këtë rast, edhe në këtë terror. Një kafe në bar, një xhiro me biçikletë, një birrë belge, janë këto gjeste të jetës së përditëshme që tregojnë se terrori luftohet me thjeshtësi, me rutinën e jetës së përditëshme.

Botuar në Pasqyrë.al

 

 

 

Libreza shëndetësore po më skadon, si ta përtërij?

Regjistrimi i emigrantëve. Sot hyn në fuqi ligji