in

Vizita, analiza e kura mjekësore. A mund të mos paguaj për shërbimin shëndetësor?

Kam lejeqëndrim për motive pune por aktualisht jam i papunë. Më duhet të bëj disa kontrolle e dua të di nëse ka ndonjë mundësi që të mos paguaj

Për të përfituar vizita, analiza dhe kura mjekësore, për të regjistruarit, sistemi shëndetësor parashikon pagesën e të ashtuquajturës “ticket”, biletë, që nuk është tjetër veçse një pjesë e kostos që shërbimi kushton.

Çdo Krahinë vendos rregulla të veçanta, por ligji kombëtar përcakton disa raste të mospagimit të “ticket” që vlejnë në mbarë Italinë.

Kategori të caktuara pacientësh kanë të drejtën e mospagesës edhe për disa barna, por në këto raste i interesuari duhet t’i drejtohet drejtpërdrejt Krahinës ku banon.

Edhe përsa i përket mospagesës së “ticket”, qytetari jokomunitar që ka lejeqëndrim kohëgjatë (për punë, motive familjare etj.) gëzon të njëjtat të drejta me qytetarët italianë.

Kush gëzon të drejtën e mospagesës së “ticket”

Kanë të drejtë të përfitojnë falas shërbimet mjekësore të shërbimit shëndetësor këto kategori:

  1. Qytetarët nën 6 vjeç, pjesëtarë të familjeve me të ardhura vjetore jo më të larta se 36.151,98 euro (Kodi E01);
  2. Qytetarët mbi 65 vjeç, pjesëtarë të familjeve me të ardhura vjetore jo më të larta se 36.151,98 euro (Kodi E01);
  3. Të papunët (të regjistruar në listat e posaçme) dhe familjarët e tyre në ngarkim, pjesëtarë të familjeve me të ardhura vjetore nën 8.263,31 euro. Nëse janë të martuar, të ardhurat e përgjithshme nuk duhet të kapërcejnë 11.362,05 euro. Në rast se kanë bij, të ardhurave u duhet shtuar 516,46 euro për çdo fëmijë në ngarkim (Kodi E02);
  4. Titullarët e pensioneve sociale dhe familjarët e tyre në ngarkim (Kodi E03) ose titullarët e pensioneve minimale me moshë mbi 60 vjeç dhe familjarët e tyre në ngarkim, pjesëtarë të familjeve me të ardhura vjetore nën 8.263,31 euro. Nëse janë të martuar, të ardhurat e përgjithshme nuk duhet të kapërcejnë 11.362,05 euro. Në rast se kanë bij, të ardhurave u duhet shtuar 516,46 euro për çdo fëmijë në ngarkim (Kodi E04).

Duhet mbajtur parasysh që mospagesa e biletës parashikohet edhe në rastet kur qytetari vuan nga një prej patologjive të rënda të parashikuara nga ministria e Shëndetësisë me një dekret të posaçëm, lista e të cilave mund të shihet në portalin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Si ushtrohet e drejta e mospagesës

Prej disa vitesh procedurat e parashikuara për mospagesën e ticket janë në ndryshim e sipër. Ndaj është e nevojshme të verifikohet pranë Krahinës ku banohet ç’rrugë duhet ndjekur.

Agjencia e Tatim-taksave (Ufficio delle Entrate) u përcjell çdo vit Krahinës, ASL-ve dhe mjekëve të familjes të dhënat personale dhe të ardhurat e qytetarëve italianë e të huaj rezidentë në Itali. Kur mjeku i familjes ose pediatric jep recetën për një vizitë apo për një analizë, duhet të verifikojë nëse pacienti është mes kategorive që nuk paguajnë ticket për të ardhura e kushte pune, nëse po duhet të vendosë kodin e duhur të mospagesës në recetë.

Nëse dikush mendon se ka të drejtë të mospaguajë por mjekut nuk i rezulton nga lista që i ka nisur agjencia e Tatim-Taksave, ai duhet t’i drejtohet ASL-it të zonës, dhe me paraqitjen e disa dokumenteve (që ndryshojnë sipas motivit për të cilin kërkohet mospagesa e biletës), të kërkojë lëshimin e certifikatës së mospagesës së “ticket” që duhet t’ia tregojë mjekut sa herë i kërkon një recetë.

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Futboll. Shqipëria fiton 2-0 miqësoren ndaj Luksemburgut

Shqiptarët ia mbathin, politika merret me trenin e fëmijëve te Parku