Romë 27 dhjetor 2010 – Sërish alarm për bombë në selitë diplomatike në Romë. Këtë herë një alarm për pako bombë ka pasur edhe në Ambasadën shqiptare që për fat të mirë ka rezultuar alarm i rremë. Në pako, siç zbuluan skuadrat zjarrfikëse të karabinierëve që kanë shkuar menjëherë në selinë e ambasadës nuk ishte tjetër veçse dhuratë për krishtlindjesh kishte vetëm një kalendar.
Mëngjesin e sotëm, një pako bombë u zbulua në ambasadën greke. “Pakoja kishte arritur ditën e premte, por për shkak të festave kishte mbetur pa u hapur deri sot”, shpjegoi ambasadori grek në Romë i cili tregoi se kishin vënë re diçka të dyshimtë, prandaj lajmëruam menjëherë forcat e rendit. Brenda pak minutash në selinë e ambasadës mbërritën tre skuadra zjarrfikësish që verifikuan praninë e lëndës shperthyese dhe arritën ta neutralizojnë atë. Specialistët bëjnë te ditur se ishte identike me pakot e 23 dhjetorit. Atë dite në ambasadën e Zvicrës dhe Kilit mbërritën dy pako bombë që shkaktuan plagosjen e punonjësve që i kishin hapur.
E prandaj përveç alarmit të bazuar në këto episode, autorësinë e të cilave e mori përsipër Federata Anarkiste Joformale, ka pasur edhe shume raste alarmi të rremë. Vetëm sot në shumë ambasada si ajo e Suedise, Danimarkës, Venezuelës apo e Shqipërisë ka pasur sinjalizime për pako bombe. Por, siç konfirmojnë për “Shqiptari i Italisë” burime të brendshme të ambasadës shqiptare në Romë, kanë qenë dhurata apo kartolina “të dyshimta” në pamje që, në këto çaste sindrome frike, janë sinjalizuar si bomba të mundshme.
Alarmi i krijuar në Rome kujton atë të muajit të kaluar kur 14 pako bomba te ngjashme u nisën drejt disa përfaqësive diplomatike në Athinë dhe drejt disa leaderve europianë. Prandaj tani për tani policia italiane deklaron se po ndiqet e njëjta pistë e anarkistëve, tre prej të cilëve ndodhen të mbyllur në burgjet e Zvicrës.
Prokuroria e Romës, kishte shprehur bindjen që pako bomba do të ishin akoma në qarkullim dhe se ato të 23 dhjetorit nuk ishin të vetmet. Prandaj të gjitha selitë diplomatike janë porositur të kenë kujdes të veçantë me postën.