Në Piacenza çdo 5 nxënës, një është i huaj dhe nga këta të fundit më të shumtët janë shqiptarët. Simbol i multietnicitetit është shkolla Faustini-Nicolini-Frank në bankat e të cilës gjen nxënës me prejardhje nga 46 vende të ndryshme të botës
Romë 28 dhjetor 2010 – Në Piacenza, qytet dhe provincë, kur në shtator ra zilja e parë e shkollës, ishin plot 80 klasa të cilave drejtoria shkollore e provincës u lejoi kapërcimin e 30% të nxënësve të huaj për klasë. Nga Shqipëria, Maroku, Ekuadori India, Maqedonia: “përshkon” tërë botën duke parë prejardhjen e nxënësve të Piacenzës , ku tashmë çdo 5 nxënës një është i huaj, i lindur këtu apo i ardhur me prindërit. Më saktësisht të dhënat e fundit mbi sistemin shkollor të Piacenzës flasin për prani mesatare të nxënësve të huaj prej 18,12%, përqindje që ndryshon sipas ciklit shkollor: në kopsht arrin 24,3%, në shkollat fillore zbret në 18,96%, në ciklin e dytë të tetëvjeçares arrin në 19,64% dhe zbret në 13,61% në shkollat e mesme.
Në vlerë absolute,në të gjitha nivelet e shkollave, nxënësit e huaj janë 6091 nga të cilët 1081 janë shqiptarë që përbëjnë edhe grupin më të madh të të huajve në bankat e Piacenzës. Fëmijët e huaj në kopshtet e Piacenzës janë 1060, nga të cilët 889 të lindur në Itali. Nga këta 252 janë shqiptarë, 246 nga Maroku, 89 nga Rumania etj. Në shkollat fillore nxënësit e huaj janë 2164 (1090 të lindur në Itali), nga të cilët 472 nga Shqipëria, 372 morokenë, 198 rumunë etj. Në ciklin e dytë të shkollës tetëvjeçare ka 1427 nxënës me pasaportë joitaliane (308 të lindur në Itali), nga këta 318 shqiptarë, 191 nga Maroku, 141 nga Ekuadori etj. Ndërsa në shkollat e mesme të Piacenzës nxënësit e huaj janë 1440 (vetëm 91 të lindur në Itali) nga të cilët 329 me pasaportë shqiptare, 139 maqedonase, 145 marokene etj.
Një nga shkollat simbol të multietnicitetit është shkolla tetëvjeçare Faustini-Frank-Nicolini në bankat e të cilës ulen nxënës me prejardhje nga 46 vende të ndryshme të botës. Pikërisht kjo strukturë shkollore së shpejti do të eksperimentojë bashkëpunimin me Coopselios dhe Komunën e Piacenzës “për t’u dhënë klasave multikulturale një tutor, në mbështetje të veprimtarisë didaktike shkollore”.