in

Shtetësia për bijtë e imigrantëve. “Kurrë kaq pranë, Parlamenti të nxitojë”

Tesfaye (Rrjeti G2): “Të drejtat e të miturve nuk kanë ngjyrim politik, do të ishte e pafalshme të mos bëhej reforma gjatë kësaj legjislature. Jemi italianë, mjaft me paqëndrueshmërinë ekzistenciale të brezave të dytë”

Romë, 1 prill 2016 – “Reforma është shumë pranë. Senatit i kërkuam të veprojë shpejt e t’u japë më në fund shtetësinë italiane një milion bijve të imigrantëve”.

Isaac Tesfaye është gazetar 31 vjeç. Të mërkurën e shkuar, ama, ishte në komisionin e çështjeve kushtetuese si aktivist i Rrjetit G2 Brezat e Dytë. Me të edhe bashkëndjekëset të të njëjtës kauzë Lucia Ghebreghiorges, Neva Besker e Paula Baudet Vivanco. Të gjithë emra italianësh e italianesh të ditëve të sotme, që kërkojnë një ligj që t’ua njohë njëherë e përgjithnjë këtë status.

“Ne duam që reforma të bëhet përpara zgjedhjeve administrative të qershorit dhe besojmë se ekzistojnë të gjitha kushtet që kjo të ndodhë. Presidentja Finocchiaro nuk na dha afate të sakta, tha që reforma do të shkojë përpara por edhe që ka të tjera masa urgjente me të cilat duhet të merret komisioni. Por nuk duam që reforma të shkojë sërish në fund e të ndalet fare për shkak të fushatës elektorale. Ka mbërritur çasti i duhur, nuk duhet humbur më kohë” thotë Tesfaye për Stranieriinitalia.it.

Neva Besker, Paula Baudet Vivanco, Lucia Ghebreghiorges e Isaac Tesfaye. Rete G2 Seconde GenerazioniNeva Besker, Paula Baudet Vivanco, Lucia Ghebreghiorges e Isaac Tesfaye. Rete G2 Seconde Generazioni

Të mërkurën (30 mars) në Komision, presidenti i Unicef-it vuri në dukje se në fund të majit do të festohet edhe 25-vjetori i ratifikimit nga Italia e Konventës ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve e që për këtë arsye do të ishte akoma më domethënës miratimi në këtë çast i reformës së shtetësisë.

“Do të ishte një tjetër hap përpara i rëndësishëm – thekson Tesfaye – për të drejtat e të miturve në Itali. Dhe, pikërisht pse flasim për të drejtat e të miturve, duhet të shmanget sa më shumë të jetë e mundur një debat i politizuar në baza ideologjike.  Për të gjithë, fari duhet të jetë gjendja e bijve të imigrantëve, një gjendje sot kritike, që duhet të shtyjë të gjithë ta konsiderojnë këtë çështje të interesit superior për t’u zgjidhur me një përpjekje transversiale”.

Nuk ju duket se në diskutim kanë hyrë edhe argumente që nuk kanë të bëjnë me reformën? Qendra e djathtë vazhdon të marrë në konsideratë emergjencën e refugjatëve dhe të terrorizmit.

“Tani për tani raportuesja i ka ndarë mirë gjërat e po çon përpara diskutimin duke e mbajtur të lidhur fort pas brezave të dytë. Të fusësh në diskutimin e reformës edhe flukset e refugjatëve apo terrorizmin  është absolutisht manipulim. Kjo do të thotë t’i frysh zjarrit të frikës që nuk ka të bëjë me reformën. Flasim për të mitur të rritur në Itali, të rrënjosur në këtë vend, polemikat mbi argumente të tjera janë pa vlerë.

Me cilat forca politike bashkëbisedon Rrjeti G2 për të arritur reformën?

“Ne dialogojm gjithnjë me të gjithë, takojmë çdo grupim që është i gatshëm të na presë për t’u shpjeguar arsyet e brezave të dytë. E përsëris, temat që na përkasin duhet të jenë të ndara nga polemikat politike, është fjala për të drejta që nuk mund të bëhen flamuj të këtij apo atij grupimi. Për këtë arsye Rrjeti G2 është pa përkatësi politike, partiake e fetare. Ligji aktual mbi shtetësinë është absolutisht i vjetëruar, ndaj të ballafaqohemi e ta ndryshojmë atë sa më shpejt”.

Ligji është i vjetëruar, por a nuk besoni se edhe politika nuk shkon me hapin e ndjeshmërisë së vendit? Në sondazhe, italianët tregohen gjithnjë shumë të hapur mbi çështjen e shtetësisë së brezave të dytë…

“Nuk duhet përgjithësuar. Në parlament ka nga ata që janë angazhuar shumë në këtë front, e të tjerë që shkojnë kundër ndjenjave dhe realitetit të vendit. Italia ka shkuar përpara, Parlamenti duhet ta pranojë e të mos lërë gjërat në vend por të bëjë më në fund diçka për një milion të rinj tëshmë italianë në shpirt e në mendje. Italia është vendi i tyre, por ndeshen me një ligj që nuk e njeh këtë të vërtetë”.

E që ndonjëherë arrin deri aty sa të përpiqet t’i përzërë nga Itali, si ndodhi me të riun Luca Neves?

“Rasti Neves është një nga të shumtët që nxjerrin në pah paqëndrueshmërinë ekzistenciale të brezaveë të dytë, që vuajnë pengesat që u vijnë nga mosnjohja e shtetësisë. Luca dhe të tjerë si ai, përfshirë Alessandra Samira Mangoud [e lindur, e rritur, e diskriminuar dhe  vdekur si e huaj në Itali), u cituan nga Neva Besker gjatë fjalës së mbajtur para komisionit të Senatit, pikërisht për të sjellë fakte konkrete, e jo pretendime abstrakte pa baza reale”.

Reforma, po të miratohet, do të bëjë italianë bijtë por do të lërë të huaj prindërit. Si mendoni se do të reagojnë?

“Parlamenti vendosi të ndajë dy çështjet, në mënyrë që të arrihet në një vendim të paktën për të miturit. Është kompromis, por nëse do të kalojë do të jetë pozitiv edhe për prindërit. Një lloj dëmshpërblimi nga Italia që u jep bijve atë që akoma nuk u ka dhënë prindërve. Natyrisht urojmë që të mund të vihet dorë shpejt edhe në rregullat mbi shtetësinë për të rriturit. Por tani është çasti i brezave të dytë”.

Është larg pikëmbërritja?

“Nuk ka qenë kurrë më parë kaq pranë. Ekziston një tekst mbi të cilin mazhoranca ka gjetur një ujdi dhe që, me gjithë të metat, u miratua sidoqoftë në Dhomën e Deputetëve. Nga pikëmbërritja na ndan vërtet vetëm një hap, do të ishte e pafalshme të mos arrihet mbrenda kësaj legjislature”.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Shitën gomerët dhe blenë makina

Të burgosurit i jepen 36 orë leje, nuk kthehet më në burg