Desha të di se çfarë duhet të bëjë kur sëmuret një bashkëpunëtore familjare që nuk jeton me punëdhënësit. Ka të drejtë rroge? Punëdhënësi a mund ta pushojë nga puna?
Sipas normave në këtë fushë, bashkëpunëtorja familjare duhet të lajmërojë menjëherë për mungesën e saj në vendin e punës dhe nëse është e sëmurë duhet t’i nisë punëdhënësit certifikatën mjekësore (kjo duhet vetëm nëse bashkëpunëtorja familjare nuk jeton me punëdhënësit).
Punëdhënësi, duhet t’i paguajë gjysmën e pagës për tre ditët e para dhe rrogën e plotë për ditët e mëtejshme maksimumi deri :
– 8 ditë për bashkëpunëtore familjare që ka deri gjashtë muaj vjetërsi pune;
– 10 ditë për bashkëpunëtore familjare që ka nga gjashtë muaj deri në dy vjet vjetërsi pune;
– 15 ditë për bashkëpunëtore familjare që ka mbi dy vjet vjetërsi pune.
Nëse sëmundja vazhdon për një kohë më të gjatë se ajo që i takon sipas vjetërsisë në punë, punëdhënësi nuk është i detyruar t’i paguajë rrogën dhe kontributet Inps.
Në këto raste punonjësi ruan të drejtën për të mbajtur vendin e punës për periudha të ndryshme, sipas vjetërsisë në punë pranë të njëjtës familje.
– deri në gjashtë muaj: 10 ditë
– deri dy vjet punë: 45 ditë
– mbi dy vjet: 180 ditë
Pasi mbaron periudha e ruajtjes së vendit të punës, nëse bashkëpunëtorja familjare nuk është kthyer në punë, punëdhënësi mund të zgjedhë nëse të vazhdojë apo të ndërpresë marrëdhënien e punës.
Është e qartë se bashkëpunëtorja familjare ka të drejtë të marrë çfarë i takon për periudhën që ka punuar: Tfr (likuidimit në fund të marrëdhënies së punës), lejet e pamarra dhe pjesën e rrogës së trembëdhjetë.
Kujdes: është e rëndësishme që të komunikohet mungesa nga vendi i punës ose sëmundja. Në fakt mungesat e pajustifikuara, brenda ditës së pestë, nëse nuk ka shkaqe forcash madhore, konsiderohen si motive të drejta për pushim nga puna.
Nga dita e gjashtë e mungesës së pajustifikuar, punëdhënësi mund t’i dërgojë Inps-it komunikimin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.
Av. Mascia Salvatore