in

Relativizimi i “Panama Papers” dhe problemi shqiptar


Nga Mero Baze

Ka një përpjekje të qartë për ta relativizuar skandalin e zbuluar nga gazetarët në parajsën fiskale të Panamasë, duke futur sa më shumë elementë të diskutueshëm dhe duke i futur problemet në grackën ligjore dhe procedura gjykimi, të cilat nuk besoj se do të ndriçojnë kurrë drejtësinë në Shqipëri.

Për t’i ikur kësaj përpjekje tinzare që bëhet nga çdokush që ndien se mund të ketë një rrezik të ngjashëm, në mos nga Panamaja, nga Qipro, nga ishujt Cayman, apo diku tjetër, është e nevojshme të bëjmë disa dallime të problemit shqiptar në këto parajsa fiskale, nga vendet e tjera.

Së pari, biznesmenët shqiptarë që kanë regjistruar shoqëri në këto parajsa fiskale, nuk janë biznesmenë të prodhuar nga tregu shqiptar, nga konkurrenca e lirë, apo nga tregu ndërkombëtar i lidhur me Shqipërinë. Në rastin shqiptar bëhet fjalë vetëm për biznesmenë të cilët e kanë të lidhur fatin e tyre me politikën shqiptare, dhe ata shkojnë regjistrohen aty, jo për taksa apo siguri bankare, por thjesht të mos merret vesh pronësia reale e bizneseve të tyre.

Rasti i parë i zbuluar, ai i Ismail Mulletit, është më përfaqësuesi dhe më ilustruesi, ndoshta në gjithë botën. Mulleti është i vetmi biznesmen, shpresoj në gjithë parajsën fiskale të Panamasë, që e ka nis biznesin si partner juridik i një partie në pushtet, Partisë Demokratike. Ka plot biznesmenë që kanë qenë afër pushteteve dhe kanë përfaqësuar pushtetin, kurse ky ka nisur të bëjë biznes, duke pasur partner direkt një subjekt juridik që ishte Partia Demokratike. Ai u bë degëz e kompanisë “Shqiponja” në disa pasuri të saj, derisa gllabëroi me metoda korruptive gjithë ato pasuri përmes firmave të Pollos e Shehut, dhe ka rimarrë një koncesion në ditët e fundit të qeverisë së pushtetit Berishës, dhe ka shkuar e ka rregjistruar atje.

E vetmja arsye është fshehja e aksionerëve realë.

Ndryshe nga një biznesmenë italian, gjerman apo anglez, që shkon aty për të shpëtuar nga taksat dhe për t’i shpëtuar ndonjë sanksioni ndërkombëtar, biznesmenët që fitojnë nga taksat e shqiptarëve, shkojnë atje për t’u rregjistruar që ne të mos i shikojmë me kë i ndajnë paratë tona.

Dhe ky rast nuk duhet relativizuar. Se sa lidhje ka me PD, me Genc Pollon, Tritan Shehun apo Sali Berishën, Prokuroria le të hapë dosjen e kompanisë “Shqiponja” dhe pronave të PD, të shikojë si janë tjetërsuar pasuritë e saj me firmat e këtyre tre personave, në adresë të këtij personi. Se sa të forta i kanë ruajtur lidhjet, e tregon dhe fakti që sërish muajin e fundit të pushtetit të dytë të PD më 2013, njësoj si muajin e fundit të pushtetit të parë të PD më 1997, Sali Berisha ka firmosur në adresë të tij, për ta bërë milionerë. Kjo ëshët bindëse që ai është mekanizëm shpërndarjesh lekësh dhe jo thjesht një biznesmen që është caktuar nga Zoti, të marrë gjithmonë para sa herë vjen PD në pushtet.

Së dyti, nuk duhet pritur që autokratët e Lindjes, të cilët kanë dalë se kanë fshehur aty miliona, të jenë si pushtetarët shqiptarë. Pushtetarët shqiptarë i kanë deleguar fitimet e tyre tek biznesmenë të afërt të tyre, si aksionerë anonimë, dhe jo si Asadi, Putin apo Alievi, që nuk duan t’ia dinë fare për vendet e tyre, pasi e konsiderojnë këtë një komplot ndërkombëtar. Prandaj nuk duhet relativizuar lidhja politike e këtij biznesmeni me pushtetin në Shqipëri. Ai është rasti më tipik, se si një pushtet në Shqipëri delegon pasuritë e tij.

Së treti, duhet të përgatitemi që drejtësia shqiptare nuk do
veprojë në asnjë rast, edhe sikur të dalin fakte më të forta se kjo e
Mulletit, edhe pse këmbëngul, se ky është ilustrim botëror i lidhjeve të një biznesmeni me pushtetin.

“Panama Papers” do t’u vlejë shqiptarëve të binden se si vidhen paratë e tyre nga politikanët dhe do vërë në provë aftësinë e tyre për të reaguar politikisht ndaj këtij fenomeni. Përveç ndonjë shteti perëndimor, ky skandal askund nuk ka për të përfunduar në gjykatë. Ky do të jetë një provokim për opinionin publik për të zhvlerësuar politikanët e lidhur me korrupsionin dhe për të ngritur njerëzit të votojnë kundër tyre. Ndaj mos prisni asgjë nga Adriatik Llalla dhe drejtësia shqiptare. Parajsa fiskale e Panamasë, nuk është asgjë para asaj të Qipros, dhe gjykata shqiptare në Tiranë e mbylli çështjen e pastër të pastrimit të parave mes Damir Fazlliçit & Lazarevçit që kishin rregjistruar kompaninë ofshore në Qipro, dhe Argita Berishës, pa ju dridhur dora fare. Artan Broci e mbylli dosjen për vonesë dokumentash nga posta e Qipros, ndërsa provohej qartë se Lazaraveçi me Fazlliçin kishin paguar 1,7 milion euro Argita Berishën, gjoja për një shitje kompanie pa bilanc dhe pa prona, për të mbuluar lobimin e saj në tenderat e energjisë elektrike, që ata filluan të marrin në Shqipëri. Rast më të fortë se ai, as ka për të pasur në dorë të drejtësisë shqiptare, me aq shumë fakte e prova. Ato që priten të dalin tani, janë ende shumë larg aq shmë fakteve të vërteta sa kishte ajo histori ende e pagjykuar, e mbyllur me procedurë.

E njëjta gjë mund të ndodhë dhe me dy kompanitë më të mëdha që nxjerrin naftën shqiptare, të cilat po ashtu janë të rregjistruara në parajsa fiskale dhe me lidhje politike të forta me pushtetet në Shqipëri.

Ajo për të cilën duhet të përgatitemi, nuk është drejtësia, por gjyqi publik ndaj tyre dhe rrënimi moral i çdo politikani që ka lidhje të tilla. Vetëm kjo mund ta çojë në vend drejtësinë, duke i flakur ata nga politika me neveri dhe duke vazhduar betejën derisa një ditë të dënohen.

Ndaj është mirë që skandali i “Panama Papers”, të ndiqet me gjakftohtësi dhe vemendje, jo duke rritur pritshmërinë që drejtësia jonë do veprojë, por duke qenë të gatshëm për një betejë të re, që mund të shkundë seriozisht rrënjët dhe fijet e padukshme të pushteve të korruptuara në Shqipëri.

Botuar në TemA

 

“Panama Papers” dhe Shqipëria

Drogë në Itali nga Shqipëria e Holanda. 13 arrestime