in

Rama takon Obamën në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Obama dhe Zëvendës Presidenti Biden i shprehën Kryeministrit Rama vlerësimin e tyre për rolin kritik të Shqipërisë për stabilitetin në Ballkan, për promovimin e tolerancës fetare, për kontributet e rëndësishme të Shqipërisë në koalicionin ndërkombëtar kundër ISIL, për hapat e ndërmarrë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Shtetet e bashkuara të Amerikës kulmoi mbrëmë me takimin në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Barack Obama dhe zëvendës Presidentin Joe Biden. Kryeministrin e shoqëronin edhe ministri i Brendshëm dhe i Jashtëm, ambasadorja e Shqipërisë në SHBA dhe këshilltari i tij për mediat.

Shtëpia e Bardhë botoi një njoftim të shkurtër për takimin e kryeministrit Rama me Presidentin Barack Obama dhe Zëvendës Presidentin Joe Biden.

“Presidenti Obama iu bashkua sot një takimi midis Zëvendës Presidentit Biden dhe Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Presidenti, Zëvendës Presidenti dhe Kryeministri theksuan rëndësinë e partneritetit të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara. Presidenti dhe Zëvendës Presidenti shprehën vlerësimin e tyre për rolin kritik të Shqipërisë në çuarjen përpara të sigurisë rajonale dhe rishprehën rëndësinë që ka mbajtja hapur e derës së integrimit euro-atlantik për stabilitetin në Ballkan. Presidenti dhe Zëvendës Presidenti përgëzuan Shqipërinë për udhëheqësinë e saj në promovimin e tolerancës fetare, për kontributet e rëndësishme të Shqipërisë për koalicionin ndërkombëtar kundër ISIL, dhe për hapat domethënës që Shqipëria ka ndërmarrë për t’iu kundërvënë terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Presidenti, Zëvendës Presidenti dhe Kryeministri po ashtu ranë dakord mbi rëndësinë që ka vazhdimi i reformave për të çuar përpara integrimin europian të Shqipërisë” thuhet në komunikatë.

Edhe sipas njoftimit të Kryeministrisë, në takim është folur mbi re çështje: marrëdhëniet mes dy vendeve, reformat në Shqipëri, veçanërisht ajo në drejtësi, dhe lufta kundër radikalizmit. Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes roli i Shqipërisë në Rajon dhe Kosova.
“Shqipëria është një aleat i jashtëzakonshëm. Unë dua t’ju falenderoj për çfarë ju keni bërë. Nën lidershipin tuaj, Shqipëria është tani një pikë referimi në Ballkan dhe një nga aktorët më të përgjegjshëm në rajon. Ne vlerësojmë rolin tuaj dhe ju mbështesim plotësisht” – u shpreh Presidenti Obama.
Shqipëria është një vend pro amerikan, është një partner serioz në NATO dhe ajo që ne sot po bëjmë në Ballkan, duke çelur një faqe të re në historinë e bashkëpunimit në rajon, është edhe falë asaj çka SHBA ka bërë për rajonin. Ballkani sot është një histori suksesi e politikës së jashtme të SHBA-së,” – nënvizoi Kryeministri Rama.
 

 

 

 

 

Parlamenti Evropian, Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave

Në “Paradiso Azzurro” të Besnik Hoxhës, pica italiane e mikpritje shqiptare