Tiranë, 3 janar 2011 – Liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë shënon padyshim ngjarjen më të rëndësishme gjatë vitit 2010. Sipas ATSh-së, kriza e stërzgjatur politike në vend dhe mungesa e bashkëpunimit mes maxhorancës dhe opozitës, solli refuzimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, një vendim që u publikua në 9 nëntor nga Komisioni Europian, një ditë pas atij të liberalizimit të vizave.
Viti që lamë pas shënon gjithashtu edhe një agjendë të ngjeshur të qeverisë shqiptare.
Më poshtë vijojnë disa data të rëndësishme të vitit 2010:
27 Janar – Këshilli i Ministrave miraton Strategjinë ndërsektoriale të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, që do të shërbejë për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë.
10 Shkurt – Këshilli i Ministrave miraton marrëveshjen për “Linjën Unazore 110 kilovolt për Shqipërinë e jugut”, një investim i rëndësishëm prej 37.5 milionë euro, që përmirëson gjendjen e furnizimit me energji të zonës kryesore turistike të vendit.
12 Shkurt – Kryeministri Berisha zhvillon një vizitë në Itali, ku pritet nga homologu italian, Silvio Berlusconi. Të dy kryeministrat nxisin rritjen e investimeve italiane në Shqipëri.
16 Shkurt – Kryeministri i Mbretërisë së Belgjikës, Yves Leterme, viziton Shqipërinë. Në takimin me Kryeministrin Berisha, Leterme shpreh mbështetjen për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
22 Shkurt – Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Mevlüt Çavuşoğlu, dhe liderët e 5 grupeve parlamentare së bashku me bashkëraporterët e monitorimit për Shqipërinë, vizitojnë Tiranën për të mbështetur proçesin e zgjidhjes së situatës politike të krijura nga bojkoti i Kuvendit nga opozita.
25 Mars – Kryeministri Berisha merr pjesë në Samitin e Partive Popullore Evropiane (PPE) që zhvillon punimet në Académie Royale De Belgique, në Bruksel (Belgjikë).
3 Prill- Kryeministri Berisha zhvillon një vizitë zyrtare në Kuvajt me ftesë të Lartësisë së Tij, Kryeministrit të Kuvajtit, Sheikut Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah. Përveç takimeve dypalëshe, gjatë vizitës u nënshkruan edhe një seri marrëveshjesh të rëndësishme ekonomike.
5 prill – Kryeministri i Estonisë, Andrus Ansip, zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit Berisha. Në kuadër të takimit nënshkruhet marrëveshja dypalëshe “Për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal”.
7 Prill – Këshilli i Ministrave miraton një ndryshim në vendimin “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”.
12 Prill – Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini, viziton Shqipërinë. Procesi i liberalizimit të vizave dhe integrimi i Shqipërisë në BE, ishin çështjet kryesore të axhendës së kryediplomatit italian.
14 prill 2010 – Kryeministri Berisha i dorëzon në Bruksel, Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, dosjen me përgjigjet e 2284 pyetjeve të Pyetësorit të KE-së për Shqipërinë.
15 Prill – Presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, gjatë një takimi në Bruksel me Kryeministrin Berisha vlerëson progresin që ka bërë Shqipëria vitet e fundit, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ndryshimet që kanë ndodhur në ekonomi.
25 Prill – Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Morin- Mërdarë, në Kosovë, të cilën e cilësoi si “korridorin e integrimit të Kosovës drejt rajonit dhe Europës”.
6 Maj – Në hapje të Forumit të V-të të Crans Montanës, Kryeministri Berisha thekson angazhimin e qeverisë për zhvillimin e sektorit energjetik në vend.
10 Maj – Organizata e Kombeve të Bashkuara rendit Shqipërinë të dytën në botë për transparencën e prokurimeve në vend, që sigurohet nga prokurime 100 për qind elektronike.
27 Maj 2010 – Hyn në fuqi vendimi i Kolegjit të Komisionerëve, që i rekomandon Parlamentit Europian liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Shqipërisë i caktohen tre kushte shtesë për të plotësuar.
2 Qershor – Samiti i Sarajevës i jep mbështetje unanime propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje- Hercegovinën.
9 Qershor- Këshilli i Ministrave miraton strategjinë për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, (2010-2015), që përbën një nga kushtet e vendosura nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave.
10 Qershor 2010 – Përfundon plotësimi i pyetjeve shtesë të Pyetësorit të KE-së.
23 Qershor – Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian miraton me 59 vota pro dhe 1 kundër, rezolutën për integrimin europian të Shqipërisë.
30 Qershor – Këshilli i Ministrave rrit pensionet mujore për 520 mijë qytetarë shqiptarë dhe përkatësisht në masën 6 për qind për pensionet e ulëta në qytet, 10 për qind pensionet në fshat dhe 4 për qind pensionet e larta dhe ato suplementare.
8 Korrik – Këshilli i Ministrave miraton vendimin për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës në masën nga 4 për qind në 11 për qind.
Korrik 2010 – Misioni monitorues i Komisionit Europian viziton Shqipërinë për të parë nga afër përmbushjen e kritereve shtesë për liberalizimin e vizave.
18 Gusht – Këshilli i Ministrave miraton vendimin për rritjen me 3.5 për qind të nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia, si një e ardhur bazë që siguron të paktën një nivel jetese minimal, në kuadër të indeksimit të çmimit të konsumit.
2 Shtator 2010 – Pasi njihet me raportin paraprak të misioni monitorues të Komisionit Europian, Komiteti për Çështjet e Brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian, nxjerr përfundimin se Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina kanë përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
13 Shtator – Kryeministri Sali Berisha, në përputhje me propozimet zyrtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i propozon Presidentit të Republikës ndryshimet në kabinetin qeveritar. Berisha propozon lirimin nga detyra të Ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, dhe emërimin në vend të tij të zv/kryeministrit Ilir Meta. Në postin e Ministrit të Jashtëm emërohet Edmond Haxhinasto.
22 Shtator – Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin plenar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, që u zhvillua në Nju Jork (SHBA). Kryeministri prezanton arritjet e Shqipërisë, duke u ndalur te zhvillimi ekonomik i vendit.
30 Shtator – Këshilli i Ministrave miraton emërimin e Ilirjan Muho në postin e zv/ministrit të Punëve Publike dhe Transportit dhe Sokol Dervishaj në postin e zv/ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
7 Tetor – Parlamenti Europian miraton me shumicë votash rezolutën për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
20 Tetor – Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, zhvillon një vizitë në Shqipëri ku takohet me krerët më të lartë të vendit. Ai thekson se përgjegjësia kryesore në progresin drejt BE-së mbetet te udhëheqja politike e shqiptarëve.
8 Nëntor – Këshilli i Ministrave të Drejtësisë dhe Ministrave të Brendshëm të BE-së miraton liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
9 Nëntor – Publikohet raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë. Shqipëria nuk përfiton statusin e vendit kandidat në BE. Kryeministri Berisha siguron se “Qeveria shqiptare do ta shndërrojë raportin në një program pune, në interesin më të mirë të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE”.
19 Nëntor – Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në samitin e nivelit të lartë të NATO-s, në Lisbonë, ku u miratua koncepti i ri strategjik i Aleancës.
25 Nëntor – Kryeministri Sali Berisha prezanton në Kuvend projekt buxhetin e vitit 2011, që sipas tij “sjell transformimet të mëdha për vendin”.
1 Dhjetor – Këshilli i Ministrave autorizon çeljen e tenderit të hapur ndërkombëtar për tunelin e rrugës Tiranë-Elbasan, që do të financohet tërësisht me paratë e buxhetit të shtetit. Këshilli i Ministrave lejon edhe çeljen e tenderit për ndërtimin e rrugës së Arbrit, si dhe të disa akseve të tjera të rëndësishme në infrastrukturën e vendit.
8 Dhjetor – Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të homologut shqiptar, Sali Berisha. Gjatë kësaj vizite inaugurohet edhe Ambasada sllovene në Tiranë.
15 Dhjetor – Hyn në fuqi, vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
22 Dhjetor – Kryeministri Berisha fton EULEX-in që të fillojë hetimin në lidhje me akuzat e senatorit Dik Marti për krimet e kryera nga UÇK-ja, si dhe garantoi të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e plotë të autoriteteve shqiptare, që ky institucion të shtrijë hetimin për këtë çështje edhe në Shqipëri.