in

Kriza e refugjatëve. Samiti rajonal: Bashkëpunim më i ngushtë mes vendeve

Edhe ministrat shqiptarë Tahiri dhe Bushati në Samitin dyditor të ministrave të Jashtëm e të Brendshëm të rajonit, mbi krizën migratore të shkaktuar nga fluksi i të ardhurve nga vatrat e konflikteve

Selanik, 22 prill 2016 – Në Selanik të Greqisë po mbahet Samiti dyditor i ministrave të Brendshëm e të Jashtëm të rajonit (Shqipërisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë) lidhur me çështjen e refugjatëve. Në takim, ku marrin pjesë edhe zyrtarë të Komisionit Europian dhe ministrisë së Jashtme të Holandës (vendi që mban presidencën e Këshillit të BE-s), qeveria shqiptare përfaqësohet nga ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

Në qendër të takimit ishin diskutimet mbi krizën migratore të shkaktuar nga fluksi i të ardhurve nga vatrat e luftës dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, si dhe forcimi i dialogut dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërkufitar midis katër vendeve. Ministrat u ndalën në frymën e angazhimeve të ndërmarra në mbledhjen e nivelit të lartë të tetorit 2015 mbi fluksin e refugjatëve përgjatë itinerarit të Ballkanit Perëndimor.

Takimi i Selanikut e vuri theksin në evidentimin e aspektit human, nevojën për koordinim dhe përforcim të veprimit dhe masave operacionale në adresimin e sfidave që sjell kjo krizë, përfshirë rreziqet e trafikut të qenieve njerëzore, kërcënimit të sigurisë dhe terrorizmit. Në këtë kontekst ministrat shprehën vendosmërinë në mbrojtje të vlerave tona dhe respektimit të lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut.

Në një prononcim për mediat, ministri Tahiri, pas takimit, u shpreh se të gjitha vendet të detyruara të bashkëpunojmë më shumë nga ç’ kanë bërë deri tani. “Çdo motiv që kemi pasur për mos të bashkëpunuar përballë sfidës së refugjatëve kthehet në zero, e na ve përpara detyrimit që në mënyrë intensive të bashkëpunojmë në shkëmbimin e informacionit, për monitorimin dhe menaxhimin e përbashkët të kufirit ndërmjet vendeve kufitare si dhe për shkëmbimin e elementëve të sigurisë që duhet të ndërmarrim në kuadër të krizës së refugjatëve”, është shprehur Tahiri.

“Ramë dakord që kjo është një krizë që duhet përballur në nivel europian dhe rajonal, për t’ iu përgjigjur me solidaritet e humanizëm domosdoshmërisë në fjalë. E nga ana tjetër, po bashkërisht të përballemi me sfidën e garantimit të sigurisë duke bërë ç’është e mundur që në cilindo prej vendeve europiane apo të rajonit, elementë radikalë e terroristë të mos penetrojnë falë krizës së refugjatëve, duke venë në rrezik vlerat, të cilat ne mbrojmë në Shqipëri, rajon dhe më gjerë”, përfundoi ministri Tahiri.

 

Nis sonte PriFest. Në program mbi 70 filma

Deklarata për armatosje, Byroja përjashton Berishën nga Kuvendi për 10 ditë