in

Terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë – Fotot e tmerrit në Tiranë

Historia e masakrave në 200 fotografi dhe dokumente të mbledhura nga Fetnete Ramosaj në një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar. Deri më 18 prill

“Terrori serb ishte i planifikuar”. Kështu thotë Fetnete Ramosaj, autore e ekspozitës “Terrori dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë”, e cila u çel në hollin e Muzeut Historik Kombëtar më 13 prill. Copëza historie nga lufta trasmetohen përmes 200 fotografive e faksimile dokumentesh që përmban ekspozita e që mund të shihen deri më 18 prill.

Lufta e fundit në Kosovë e viteve 1998-1999, mori shumë jetë të pafajshme njerëzish. Mijëra shqiptarë të kësaj treve mbetën të vrarë dhe të masakruar nga trupat paramilitare por dhe ato të rregullta të ushtrisë serbe. Ndërsa mendohet që mbi një mijë të tjerë të vazhdojnë të cilësohen si të zhdukur pasi ende nuk dihet se ku mund t’u gjenden eshtrat. Pavarësia ishte epilogu i të gjithë kësaj historie përplasjesh, e cila kishte filluar qysh nga koha kur Kosova iu aneksua shtetit Shqiptar të sapo formuar për t’iu bashkangjitur një shteti me një etni krejt të ndryshme siç është Serbia. Liria u fitua gati 90 vite më pas, por me një kosto të lartë.

“200 fotografitë dhe faksimile dokumentesh që janë ekspozuar në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, na e sjellin këtë realitet makabër, krejt të prekshëm. Nuk ka nevojë për komente. Mjafton të shikosh këto imazhe për të kuptuar se si policia dhe militarët serb, të mbështetur nga prapavija politike e spastrimit etnik të Millosheviçit, kanë masakruar popullsinë e pambrojtur shqiptare, jo vetëm burrat, por dhe gratë e fëmijët. Ndërsa mesazhi kryesor që të vjen në mend kur ndeshesh me këto pamje rrënqethëse padyshim është: të luftohet harresa”, tha në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi.

Në këtë ekspozitë të autores Fetnete Ramosaj që ka mundur të dalë në dritë pas një pune shumë të madhe kërkimore, ku për grumbullimin e materialeve që kanë të bëjnë me krimet e luftës, asaj i janë dashur 16 vite, janë të pasqyruara krimet të cilat janë bërë mbi shqiptarët. Si masakra e familjes Jashari, ajo e Prekazit, maskarat e bërë në burgjet famëkeqe serbe ku ekzekutoheshin me qindra shqiptarë, dhoma e torturave në stacionin e policisë serbe, kamioni frigorifer me civilë shqiptarë të ngrirë, del në sipërfaqe të ujit në Danub, operacioni sekret i zhdukjes së provave të ekzistencës së një populli të tërë, duke djegur e zhdukur librat amzë të të lindurve, e të të vdekurve, rishfaqet më ’99-ën krimineli serb Gorolub (Slavujko) Paunoviq duke i prerë fytin një të riu, puset e vdekjes në Kosovë, ku hidheshin me mijëra shqiptarë të vdekur, për të zhdukur gjurmët e krimit etj.

Në çeljen e ekspozitës ishin përfaqësues të ambasadës së Kosovës në Tiranë por dhe të ambasadës Kroate.

Diplomati Syl Ukshini, në emër të ambasadës së Kosovës tha se: “Krimet e ndodhura në Kosovë në vitin 1998-´99 ishin krime që nuk ishin parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe këto krime prandaj patën jehonë në të gjithë botën. Këto krime bënë që dhe NATO të ndërhynte në Kosovë. Ndaj kjo ekspozitë është për të dëshmuar krimet dhe ballafaqimin e krimit në Ballkan me krimin e së kaluarës”. 

 

 

 

Në “Paradiso Azzurro” të Besnik Hoxhës, pica italiane e mikpritje shqiptare

Voti? No, grazie, non me lo permettono