Procedura që duhet të ndjekin të rinjtë shqiptarë pranë zyrës konsullore të Ambasadës për të ndjekur studimet në universitete, akademi, apo konservatorët italianë
Romë, 27 prill 2016 – Vijojnë prej disa javësh pararegjistrimet për të rinjtë e huaj që duan të ndjekin një universitet, një akademi apo konservator në Itali.
Pararegjistrimet bëhen pranë konsullatave italiane në botë. Procedura është vetëm për ata që jetojnë jashtë Italisë, sepse të gjithë të rinjtë rezidentë të rregullt në Itali regjistrohen në Universitet njësoj si bashkëmoshatarët e tyre italianë.
Për të rinjtë shqiptarë kërkesat paraqiten në Zyrën konsullore të Ambasadës italiane në Tiranë e pranë Konsullatës në Vlorë. Ambasada italiane ka botuar dje në faqen e saj udhëzimet për paraergjistrimin e të rinjve shqiptarë (për zonat e juridiksionit të saj, të rinjtë që jetojnë në zonat e mbuluara nga konsullata e Vlorës, mund të mbajnë parasysh udhëzimet e përgjithshme por duhet t’i drejtohen konsullatës në Vlorë).
Natyrisht, para së gjithash, të rinjtë e huaj duhet të zgjedhin ku duan të shkojnë, duke i hedhur një sy vendeve të vëna në dispozicion për studentët që vijnë nga jashtë Italisë, nga çdo universitet e nga çdo shkollë e lartë e formimit artistik, muzikor e koreografik. Ministria ka aktivizuar një faqe internet me listën e vendeve në dispozicion në çdo universitet, akademi dhe konservator, rregullat për pararegjistrimet, kalendarin dhe formularët që duhen përdorur. Të rinjtë që dëshirojnë të regjistrohen në degët me numër të mbyllur studentësh duhet të regjistrohen edhe në faqen www.universitaly.it për provimin e pranimit.
Ja udhëzimet e Ambasadës për procedurën e pararegjistrimit:
Brenda datës 7 korrik 2016 studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e pararegjistrimit, duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit Prenoto Online
KUJDES: Studentët e mitur duhet të jenë të shoqëruar nga të dy prindërit në momentin e paraqitjes së kërkesës së pararegjistrimit.
1. Certifikatë (lindje nga akti nga Prefektura) dhe Certifikatë familjare (e apostiluar dhe e përkthyer)
2. Formulari i regjistrimit tërësisht i plotësuar por i pa firmosur.
Tërhiqet vëmendja e studentëve mbi faktin se në kërkesë duhet të shënohet qartësisht vetëm një degë universitare.
3. Formulari i autentikimit të fotografisë, tërësisht i plotësuar por i pafirmosur.
4. Dëftesa e Pjekurisë dhe Çertifikata e Maturës Shtetërore, në origjinal (ose kopje e njëjtë me origjinalin). Studentët që nuk zotërojnë më Dëftesën origjinale do të dorëzojnë një Vërtetim me rezultatet e të gjithë viteve bashkë me ato të Maturës Shtetërore.
Nxënësit e regjistruar në vitin e fundit ë shkollës së mesme, që do të marrin Dëftesën në verën e 2016-ës, do të paraqesin një fotokopje të pa legalizuar të “Formularit A1” me të cilin janë regjistruar on-line për provimet e maturës 2016. Këta nxënës duhet të dorëzojnë në Ambasadë dëftesën origjinale përpara lëshimit të vizës.
Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë (Laurea Magistrale), jo me numër të mbyllur, si psh. specializim ose kurs të shkurtuar duhet të dorëzojnë përveç dëftesës së maturës shtetërore, edhe Diplomën universitare, listën e provimeve dhe programin e detajuar të studimeve. Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do te marrin Diplomën brenda verës së vitit 2016, duhet të dorëzojnë një Vërtetim, që provon regjistrimin në vit të tretë dhe provimet e dhëna. Diploma përfundimtare do të dorëzohet në Ambasadë përpara lëshimit të vizës.
KUJDES: Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga Instituti Italian i Kulturës (Sheshi Skënderbej Pallati Kulturës; tel. 04/2379580) ose nga njëri prej përkthyesve të betuar lista me emrat e të cilëve është e publikuar në faqen internet te Ambasadës.
Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen nga Ministria së Punëve të Jashtme dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane, gjithmonë nga Instituti Italian i Kulturës (Sheshi Skënderbej Pallati Kulturës; tel. 04/2379580) ose nga njëri prej përkthyesve të betuar, lista me emrat e të cilëve është e publikuar në faqen internet te Ambasadës. Nëse Diplomat universitare nuk kanë të dhënat personale të plota (emër, mbiemër, datëlindje, vendlindje), duhet të paraqitet edhe një vërtetim lëshuar nga Universiteti i cili i përmban ato, si dhe të dhënat e degës së studimit.
5. Certifikatë të gjuhës italiane: fotokopje e certifikatës së gjuhës italiane të lëshuar nga Universiteti për të Huajt i Perugia-s (CELI), Universiteti për të Huajt i Siena-s (CILS), Universiteti Roma 3, ose Shoqata Dante Alighieri ose nga Italian i Kulturës. Studentët që do të kryejnë provimin në sesionin e afërm për njohjen e gjuhës, mund të paraqesin regjistrimin në provim.
Ambasada italiane në Tiranë në bashkëpunim me Institutin italian të Kulturës në Tiranë ka organizuar edhe një sesion të veçantë. Për studentët që kërkojnë të regjistrohen në degët me numër të mbyllur, njohja e gjuhës italiane quhet e kryer nëse kalojnë me sukses provimin e pranimit në Universitet.
Studentët që duan të regjistrohen në degët që zhvillohen në gjuhë huaj (jo italisht), nuk janë të detyruar të paraqesin një certifikatë asaj gjuhe nëse nuk kërkohet nga Universiteti, sipas autonomisë universitare.
6. Fotokopje e pasaportës.
7. 2 fotografi me ngjyra për dokumente.
8. Vetëm për studentet që duan të marrin pjesë në provimet e pranimit për “DEGËT ME NUMER TË MBYLLUR”. Modulin e regjistrimit me kod, të shkarkuar nga portali www.universitaly.it, i cili vërteton regjistrimin.
Për informacione të mëtejshme mbi procedurën e pararegjistrimit/lëshimit të vizës ftojmë studentët të konsultojnë rregullisht këtë faqe interneti.
Lexo edhe: Studentët e huaj. Nisin regjistrimet për vitin akademik 2016/2017