Vlerësime dhe urime nga zyrtarë të lartë
Rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë po përshëndetet këto orë nga zyrtarë të Lartë të qeverisë të Kosovës, të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Komisioneri evropian për politikat evropiane të fqinjësisë dhe negociatave për zgjerim, Johannes Hahn, në një postim në Twitter shprehet se “rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është vendim i merituar”.
Urime për rekomandimin e liberalizimit të vizave për kosovarët shpreh edhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Isa Mustafa.
Duke përshëndetur vendimin e KE-së, Zbogar thotë se “sot është një ditë e madhe për Kosovën. Vendimi i sotëm dëshmoi se BE kujdeset për Kosovën”. Sipas tij, izolimit të Kosovës po i vjen fundi.
Edhe zëvëndespresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, përmes një postimi në Facebook, uron qytetarët e Kosovës për rekomandimin e liberalizimit të vizave. “Ditë gëzimi për Kosovën. Me dritën jeshile për liberalizimin e vizave në Kosovë po përfundon izolimi i gjatë i qytetarëve të Kosovës. Drita jeshile e Komisinonit Evropian për liberalizimin e vizave sjell gëzim për qytetarët e Kosovës dhe të gjithë ne, të cilët kemi qenë në mbështetje të udhëtimit pa viza për shumë vite, për shtetin më të ri Evropian. Ky hap i vonuar do të çojë në fund të izolimit të papranueshëm të qytetarëve të Kosovës, e që liria për të udhëtuar është gëzuar nga qytetarët e të gjitha vendeve të tjera në rajon që nga fundi i vitit 2010”, shkruan Lunaçek.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet se “pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime për liberalizimin sot, urime edhe për UEFA-n dje. Javë historike”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e cilëson sot rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si një epokë të re për Kosovën. “Urime të gjithëve për rekomandimin e liberalizimit të vizave, një lajm ky historik për Kosovën! Së shpejti do të mund të udhëtojmë të lirë e pa viza në kontinentin tonë, duke u afruar më shumë se kurrë me Brukselin. Përgëzime për Ministrinë e Integrimit Evropian dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore që kanë mundësuar përmbushjen e kritereve të vështira që na mundësuan këtë rekomandim. Kjo ngjarje na jep një arsye më shumë për t’u ndjerë qytetarë të denjë e krenarë të Evropës”, thotë Veseli në urimin e tij.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e cilëson heqjen e vizave një vlerësim të merituar. “Urime Qytetarë të dashur! Rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave është vlerësimi më i merituar për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian. Rezultatet e punës së Qeverisë çdo ditë e më shumë janë të prekshme për qytetarët e Kosovës, qytetarë të kontinentit dhe të vlerave evropiane”, shkruan Mustafa në Facebook.
Ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga shprehet në urimin e saj se “sot Komisioni Evropian dërgoi mesazh të fuqishëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët tash bëhen pjesë e ëndrrës evropiane dhe forcues të vlerave të saj”. “Për ne, Evropa sot fuqizohet si pikë reference për përparimin tonë ekonomik, politik dhe demokratik”, shkruan Jahjaga.
Kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), Behxhet Pacolli, në urimin e tij shprehet se rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën “është meritë e juaja! Ju e keni merituar! Qytetarët e Kosovës tashmë nuk do të jenë të izoluar, por të lirë si kurrë më parë”.
Përshëndetjeve u bashkohet edhe ai i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili thekson se “fill pas UEFA-s tjetër lajm i gëzueshëm për Kosovën rekomandimi i Komisionit për heqjen e vizave. Më në fund BE-ja po çlirohet nga një turp!”.
Lexo edhe: Edhe kosovarët shumë shpejt pa viza në Schengen. Mbërrin rekomandimi i Komisionit Evropian