in

Në Shqipëri ka profesionistë, por në Panair s’ka punë

Mijëra aplikime për t’u punësuar janë dorëzuar në Panairin e Punës 2016, ku vizitorët thonë se kanë pak shpresë se do të arrijnë të sigurojnë një vend pune në profilin e tyre, ndërsa kompanitë nuk duken të qarta për numrin e vendeve të lira që ofrojnë.
Nga  Ivana Dervishi, BIRN

Mimoza 49-vjeçe, po i bie për të disatën herë stendave të Panairit të Punës duke mbajtur për dore vajzën 10-vjeçare. Ajo i ka vënë vetes synimin për të gjetur një punë për dy arsye, të sigurojë ushqim për familjen e saj dhe t’i ofrojë vajzës mundësi të barabarta me fëmijët e tjerë që të mos ndihet e përbuzur.

“Kam qenë mësuese vizatimi dhe prej disa vitesh po kërkoj punë në të gjitha drejtimet që të mundem, pasi në familje jemi burrë e grua pa të ardhura të sigurta,” tha Mimoza për BIRN duke kërkuar që të mos identifikohet për të mos prekur shanset e punësimit në të ardhmen.

“Nuk mendoj se shqiptarët janë dembelë, ne po kërkojmë punë gjithandej por këtu nuk ofrohen mundësi më të mira se një rrogë e pasigurt prej 15,000 lekë në privat dhe duhet të kesh të njohur që të të marrin në vende të tjera,” shtoi ajo e skuqur në fytyrë dhe me sy të prekur.

Mimoza shprehet se shumë kompani i diskriminojnë punëkërkuesit në moshë të madhe sepse kërkojnë krahë pune të ri dhe të lirë; ndërkohë që mungesa e të ardhurave i ka bërë familjarët e saj të ndjehen si qytetarë të dorës së dytë.

“Papunësia ka ndikuar shumë negativisht në shëndetin tim dhe nuk dua të shkatërrojë të ardhmen e vajzës, e cila për shkak se nuk kemi të ardhura ndihet e diferencuar në shkollë. Këto gjëra funksionojnë zinxhir”, tha Mimoza për BIRN.

“Mosha ime dhe e bashkëshortit tim na i ka hequr pothuajse të gjitha shpresat për të gjetur një vend të denjë pune për profesionet tona. Sapo mësojnë se sa vjeç jemi, nuk na telefonojnë më sepse duan të paguajnë të rinjtë sa më ulët të munden”, përfundoi ajo.

Mimoza po i referohej akuzave të kryeministrit Edi Rama i cili e konsideron dembelizmin si arsyen përse shqiptarët mbeten të papunë.

“Në të gjitha sistemet është sponsorizuar dembelizmi masiv, është kultivuar dembelizmi masiv, mungesa e një sërë praktikash, mësimi profesional ka sjellë rënie drastike të krahut të punës, shkëputje mes ofertës dhe kërkesës, asaj ç’ka biznesi ka nevojë dhe tregu ofron,” tha Rama në ceremoninë e hapjes së Panairit i cili do të jetë i hapur për vizitorët deri më 30 prill.

Sipas kryeministrit në panair janë 130 kompani pjesëmarrëse të cilat kanë afishuar 8 mijë vende të reja pune në dispozicion. Slogani i panairit është “Shqipëria ka punë, duhen profesionistë.”

Kompanitë pjesëmarrëse në Panairin e Punës variojnë nga ato telefonike, te fusha e ndërtimit, marketingut, bankat dhe kompanitë e siguracioneve. Kompanitë pohuan se interesi dhe numri i aplikimeve kishte qenë shumë i lartë, por shumë kompani nuk e kishin të qartë numrin e personave që mund të punësonin.

“Kemi marrë rreth 100 aplikime në ditë për 10 pozicionet e punës që ofrojmë. Paga minimale pa bonuset dhe mënyrat e tjera të shpërblimi te ne është 30.000 lekë”, tha për BIRN përfaqësuesja e Digicom, një firmë teknologjike.

Çifti Artan dhe Blerta Bodlli po dorëzojnë gjithashtu aplikime në stenda të ndryshme të panairit me shpresën se do t’i japin fund papunësisë prej 3 vite të Artanit.

“Më vjen shumë keq ta shoh bashkëshortin tim pa një vend pune në profilin e tij, pasi ai është shumë i zoti në zanatin e vet. Dorëzuam disa aplikime dhe të shpresojmë se do të arrijmë rezultatin e dëshiruar”, tha për BIRN Blerta.

Megjithatë vitet e papunësisë e kanë bërë Artanin më pesimist. “Shanset për të lënë ndonjë përshtypje personale në panair janë shumë të vogla dhe nuk duket se ka shumë mundësi punësimi për profesionistët,” tha ai.

“Nuk do ta quaja veten dembel, nëse tregu nuk arrin të më ofrojë një pozicion të përshtatshëm për mua”, përfundoi ai.

Të rinjtë janë ata që mbizotërojnë në aplikimet për punë në Panairin 2016. Kompanitë pohuan se shumica e CV që iu dorëzuan janë nga 20 deri në 35 vjeç.

“Kjo është hera e parë që marr pjesë në një panair pune, por nuk e konsideroj shumë të besueshëm krahasuar me realitetin, do të thosha se kam vetë 20 për qind besim se do të arrij të punësohem përmes tij,” tha për BIRN Esat Muldakaj, 22-vjeç i arsimuar në Teknologji Informacioni.

Botuar në Reporter.al

 

Liberalizimi i vizave, Kosova më pranë BE-së

Bonusi 500 euro, Possibile: “Nuk bëhet diskriminim në kulturë”