in

“Cultura – passaPORTO”, Shqipëria në Sallonin e Librit në Torino

Për të disatin vit rresht, Shqipëria do të marrë pjesë edhe në këtë edicion në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino që mbahet më 12-16 maj 2016.
Programi i takimeve në të cilat letërsia shqiptare do të jetë protagoniste

Romë, 6 maj 2016 – Edhe këtë vit Shqipëria do të ketë stendën e saj në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, panairi më i madh i këtij lloji në Itali e ndër më të rëndësishmit në Evropë.

Nëse vitet e shkuara, pjesëmarrja ishte e organizuar nga Qendra e Kulturës  Shqiptare (CCA) në Torino, këtë radhë Shqipërinë e organizon drejtpërdrejt Ministria e Kulturës me mbështetjen, përveçse të CCA-së, edhe Krahinës Puglia, të Fondacionit Gramsci të Puglias dhe shtëpisë botuese Besa.

Këtë vit në Sallon do të ketë një delegacion të madh nga ministria e Kulturës me në krye vetë ministren Mirela Kumbaro, që me praninë e Shqipërisë në panairin e madh dëshiron të nisë një program aktivitetesh për të njohur Italinë  me kulturën dhe letërsinë e bregut tjetër të Adriatikur duke i kushtuar një vëmendje të veçantë brezave të rinj të shkrimtarëve.

“Cultura – passaPORTO, slogani i Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit – ka theksuar ministrja – nënvizon idenë që kultura është pasaporta që na lejon të kapërcejmë kufijtë e të komunikojmë me kultura të tjera. Në këtë këndvështrim, letërsia, si forma e të shprehurit më e gjallë e autentike e kulturës së një vendi, është mënyra më e mirë për krijimin e lidhjeve të vërteta, të bazuara mbi vlera si dashuria, miqësia, poezia dhe historia”.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në panair do të karakterizohet nga një sërë takimesh, duke filluar nga ai i të premtes 13 maj në orën 17:00 në pavijionin e Krahinës së Puglias ku ministrja Kumbaro do të diskutojë me Drejtoreshën e Industrisë, Turizmit dhe Kulturës së Krahinës së Puglias, Loredana Capone, mbi kooperimin dhe mbështetjen e promovimit të kulturës shqiptare në Itali.

Në qendër të disa takimeve të tjera do të jetë tema e mërgimit dhe në veçanti letërsia shqiptare në gjuhën italiane. Të shtunën, 14 maj në orën 14:00, në Sallën Babel-Spazio internazionale, do të zhvillohet takimi “Përtej kufijve të ujit dhe të fjalëve. Të rrëfesh kufijtë, të rrëfesh vendin tënd e atë përballë me fjalë dhe imazhe” (“Oltre i confini d’acqua e di parole. Narrare i confini, narrare il proprio paese e quello di fronte in parole e immagini”). Do të marrin fjalën shkrimtarët Anilda Ibrahimi dhe Alessandro Leogrande, regjisori Roland Sejko e gazetari Benko Gjata, president i Qendrës së Kulturës Shqiptare, do të koordinojë takimin përkthyesja Mimoza Hysa, drejtoreshë për Librin në Ministrinë e Kulturës.

Të dielën më 15 maj, nga ora 10:30 deri në 11:30, gjithnjë në në Sallën Babel-Spazio internazionale do të zhvillohet takimi “Nga një vend në tjetrin, nga një gjuhë në tjetrën: të shkruarit si pasaportë” (“Da un paese all’altro, da una lingua all’altra: la scrittura come passaporto”) me shkrimtarët Carmine Abate, Arben Dedja dhe Visar Zhiti, i ngarkuar me punë i ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Edhe ky takim do të koordinohet nga Mimoza Hysa.

Pasditen e të dielës, në orën 16:30, në stendën e Krahinës Puglia (Padiglione 3 – P 102/ R 101) parashikohet edhe një takim mbi “Letërsia shqiptare migrante në gjuhën italiane” (La letteratura albanese migrante in lingua italiana) në të cilin do të marrin pjesë Natale Parisi i Fondacionit Gramsci të Puglias, Daniele Comberiati i universitetit të Montpellier hde drejtor i revistës “Crocevia”, shkrimtari Arben Dedja me moderimin e gazetares e shkrimtares Luisa Ruggio.

Ndër takimet e tjera që nuk duhen humbur, ai i seksionit “Salone Off” me shkrimtarin Darien Levani që prezanton romanin e tij të ri, Toringrad (Spartaco Edizioni). Takimi do të mbahet të enjten më 12 maj në orën 21:00 në librarinë Trebisonda (via S. Anselmo 22, zona San Salvario). Në takimin e organizuar nga shtëpia botuese Spartaco, do të marrë pjesë veç autorit edhe Enrico Pandiani.

Darien Levani është shkrimtar e avokat penalist praktikant që jeton në Ferrara. Është autor i disa romaneve si “Solo andata, grazie”, “Il famoso magico Qukapik”, “Poetët bëjnë dashuri ndryshe” për të cilët është vlerësuar me çmime të ndryshme si çmimet “Nuto Revelli” dhe “Pietro Conti” në Itali dhe çmimi “Penda e Argjendtë” në Shqipëri.

Së fundi, nuk duhet harruar takimi i përvitshëm i Sallonit Ndërkombëtar të Librit për dhënien e çmimeve të konkursit letrar Lingua Madre që do të mbahet më 16 maj në orën 14:00 në Arena Piemonte. Mes fituesve të edicionit XI të konkursit, ka sërish një shqiptare. Është Lorena Reci, 25 vjeç, e lindur në Durrës dhe rezidente prej 18 vjetësh në Castagnole Lanze të Astit, që me tregimin e saj “Speranza” ka fituar Çmimi Special “Torino Film Festival”.

Shqiptari i Italisë

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Kam kërkuar shtetësinë, do të bëhen italianë edhe bijtë e mi?

Universitetet italiane. Akoma të hapura regjistrimet nga jashtë për të huajt