in

Facebook, Twitter e YouTube paditen, “Nuk bëjnë sa duhet kundër racistëve”

Tre shoqata franceze hedhin në gjyq rrjetet sociale. SOS Racisme: “Heqin gjinjtë e zhveshur, por jo nxitjen e urrejtjes”

Paris, 18 maj 2016 – A bëjnë sa duhet kolosët e rrjeteve sociale për të luftuar racizmin që i helmon? Në Francë do të jenë gjykatësit që do t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.

Prej më shumë se dy muajve, militantët e SOS Racisme, SOS homophobie e UEJF, që mbledh studentë hebrenj, kanë realizuar një “test masiv”, duke sinjalizuar 586 përmbajtje raciste, antisemite, mohuese të Holokaustit, homofobe, himnizuese të terrorizmit dhe të krimeve kundër njerëzimit. Rezultati? Nga Twitter u hoq vetëm 4%, nga YouTube 7% dhe nga Facebook 34% e rasteve të sinjalizuara.

Tre shoqatat vendosën të paraqesin një padi kundër Twitter, YouTube dhe Facebook, “për të kuptuar pse nuk respektojnë detyrimet ligjore”. Është fjala për një ligj francez të vitit 2014 mbi “besimin në ekonominë dixhitale”, që detyron administratorët të “heqin në një kohë të arsyeshme përmbajtjet e paligjshme e t’ia sinjalizojnë prokurorisë”.

Në gjykatë thirren të përgjigjen kompanitë, të cilat duhet të shpjegojnë çfarë bëjnë konkretisht për të përmbushur këto detyrime. “Padia do të mundësojë – nënvizojnë nismëtarët – të hidhet dritë mbi funksionimin e mbi profilin e moderatorëve të rrjeteve sociale e të bëhet një bilanc i veprimtarisë së tyre globale”.

“Twitter, Youtube e Facebook nuk mund të vazhdojnë të thonë fjalë qetësuese për të mbuluar mosveprimin e tyre në moderimin e përmbajtjes” ngre zërin Dominique Sopo, President i SOS Racisme. “Këto platforma duken më të tronditura nga pjesë gjoksesh të zhveshura që censurohen menjëherë se sa nga nxitje të urrejtjes ndaj personash të veçantë apo grupe personash. Akti ynë ligjor kërkon që të zbatohet një ligj të cilit tani duhet t’i binden plotësisht”.

 

 

 

Si kontrollohet në ç’pikë është praktika e lejeqëndrimit

Taksa mbi lejeqëndrimet, çështje gjyqësore të shumta për të kërkuar dëmshpërblimin